orest sota spak

Pas urdhërarresteve dhe kontrolleve të gjera që goditën skemën e dyshuar të tenderëve në AKSHI, SPAK po zgjerohet drejt një tjetër emri të përfolur prej vitesh: Orest Sota.

Mediat raportojnë se procesi i hap rrugës Prokurorisë së Posaçme të verifikojë lidhjet e mundshme mes Orest Sotës dhe Ergys Agasit.

Lëvizja e SPAK vjen në një moment kur struktura po rihap dhe po shikon me lupë dosje të vjetra, që ndërthurin biznesin, politikën dhe krimin e organizuar.

Pas masave për Agasin – personin që ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj e quajti “koordinatori i krimit” – janë ngritur dyshime se një pjesë e flukseve të të ardhurave mund të jenë kanalizuar në biznese të tjera.

Gazeta Jonë ka raportuar më herët mbi rolin e Sotës me bizneset e Agasit. 

Orest Sota thirret në SPAK , një dosje e bujshme krimi ekonomik në horizont ?

Orest Sota u rikthye në dyert e SPAK në fillim të vitit. Edhe pse Prokuroria nuk ka bërë publike detaje, thirrja e tij lidhet me hetimet për transaksione financiare, lëvizje asetesh dhe çdo mundësi që ai të ketë administruar para për llogari të palëve të treta – përfshirë Agasin, i cili akuzohet për një skemë tenderash prej dhjetëra milionë eurosh.

Sota bëri bujë në vitin 2017, kur u arrestua me rreth 863 mijë euro cash dhe dy patenta të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në atë kohë, çështja u konsiderua një nyje e rëndësishme në hetimin për trafikun e drogës dhe lidhjet e politikës me krimin, por në fund Sota u lirua me garanci pasurore dhe akuzat për pastrim parash u zbehën, pasi dosja u fragmentua dhe kaloi nga Krimet e Rënda te gjykata e Elbasanit.

Rikthimi i tij në fokusin e SPAK është një sinjal se hetimet mund të jenë zgjeruar drejt rrjeteve sekrete financiare, përdorimit të personave të tretë për administrimin e aseteve dhe mekanizmave të fshehjes së parave. Burime bëjnë me dije se marrja në pyetje lidhet me të dhëna të reja të dala gjatë hetimeve për Agasin dhe grupin e tij.

Sipas të njëjtave burime, SPAK po ndjek pistën e një skeme ku Orest Sota dyshohet se ka përdorur bizneset dhe llogaritë e tij për të administruar fonde që nuk justifikohen me aktivitet ekonomik real – një model i përdorur shpesh në marrëdhëniet midis grupeve kriminale, ndërmjetësve dhe individëve të ekspozuar politikisht.

Kjo lëvizje shihet si një provë e qartë e vullnetit të SPAK për të prekur dosje të ndjeshme dhe për të çarë fijet që lidhin krimin me biznesin dhe politikën, në një kohë kur priten zhvillime të tjera edhe më të thella në hetimet që kanë nisur me AKSHI-n, por që duket se shtrihen përtej tij. /gazetajone.com