-640-0-screenshot-6-1750887539

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaron se ka “informacione të besueshme” që tregojnë se programi bërthamor i Iranit është “dëmtuar rëndë” nga sulmet e fundit të SHBA-së.

Në një postim në platformën X, ai shkruan se kjo përfshin “të dhëna të reja nga një burim/metodë historikisht e saktë dhe e besueshme”, që tregojnë se disa objekte kyçe bërthamore iraniane janë shkatërruar.

Sipas Ratcliffe, do të duheshin disa vite për rindërtimin e këtyre objekteve.

Administrata Trump po kundërshton një rrjedhje informacioni të inteligjencës, sipas të cilit komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit nuk janë shkatërruar plotësisht dhe mund të rindërtohen brenda disa muajsh.

Më herët, gjatë samitit të NATO-s, Presidenti Trump përsëriti pretendimin e tij se programi bërthamor i Iranit ishte “zhdukur plotësisht”.

Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se vlerësimi fillestar i Pentagonit ishte bërë me një “nivel të ulët besueshmërie”, dhe se FBI po hetonte rrjedhjen e informacionit.