-1000-0-1774207666ximg-9328-497

Një punëtor 19-vjeçar ka humbur jetën pasi ra në një bosht ventilimi në një aksident që është cilësuar si “plotësisht i shmangshëm” në një kantier ndërtimi në Acton, Londër.

I riu, Renols Lleshi, po ndihmonte në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë në katin e 12-të të një ndërtese banimi në ndërtim, në zonën e Akademisë Ark Soane, në Mill Hill Road, më 5 korrik 2023.

Sipas hetimeve, mbulesa mbi boshtin e ventilimit u shemb në momentin që ai e shkelu, duke bërë që i riu të binte nga një lartësi prej gjashtë katesh dhe të humbiste jetën.

Autoriteti për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) konstatoi se hapësira e ventilimit ishte mbuluar vetëm me një fletë kartoni gipsi dhe shkumë izolimi, masa këto të pamjaftueshme për siguri.

Po ashtu, u zbulua se mungesa e kontrolleve të rregullta në zonën e çatisë dhe mosinformimi i ekipit të skelave për rrezikun kontribuuan në këtë tragjedi.

Kompania e ndërtimit Jerram Falkus Construction Limited pranoi fajësinë për shkelje të rregullave të punës në lartësi dhe u gjobit me 42,200 paund. Gjithashtu, iu kërkua të paguajë 5,000 paund shpenzime gjyqësore dhe një shtesë prej 2,000 paund.

Inspektorja e HSE-së, Natalie Prince, deklaroi se rëniet nga lartësia janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve dhe plagosjeve të rënda në vendin e punës, duke theksuar se ky ishte një rast që mund të ishte parandaluar.

Familja e të ndjerit u shpreh se fakti që vdekja e tij ishte plotësisht e shmangshme e bën dhimbjen edhe më të rëndë për ta. Babai i tij falënderoi autoritetet për hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, por theksoi se asgjë nuk mund ta rikthejë djalin e tyre apo të lehtësojë dhimbjen.

Kompania Jerram Falkus Construction ndërkohë ka ndërprerë aktivitetin e saj dhe ka hyrë në proces administrimi.