artan hoxha

Një status ironik i gazetarit Artan Hoxha ka ndezur debatet në rrjet dhe ka vënë në fokus të mediave një prej zhvillimeve më të përfolura të ditëve të fundit: rrjedhja e email-eve të prokurorëve të SPAK-ut.

“Ah, mor Zambak, Zambak, na more në qafë gjithë atë SPAK…”, shkruan Hoxha në një postim të ngarkuar me sarkazëm, duke nënvizuar se vëmendja publike është devijuar qëllimisht nga thelbi i ngjarjes – një USB misterioze që përmban të dhëna të ndjeshme nga brenda sistemit të drejtësisë.

“Edhe Edward Snowden me Julian Assange, janë bërë xheloz për kaq shumë teori konspirative të publikuara 48 orët e fundit,” vijon ai, duke vënë në lojë valën e spekulimeve që kanë shpërthyer pas publikimit të email-eve.

Sipas Hoxhës, gjithë kjo stuhi teorish po shërben për të larguar vëmendjen nga ajo që ai e quan “thelbi i çështjes”: mënyra sesi këto të dhëna kanë dalë nga SPAK dhe ku po përfundojnë.

Ndërsa hetimet zyrtare për rrjedhjen vazhdojnë, statusi i gazetarit shton edhe më shumë tension në një klimë të mbingarkuar nga mosbesimi, dyshimet dhe interpretimet politike.

Ajo që mbetet e paqartë është pikërisht ajo USB në xhepin e “atij që nxori nga brenda”—një metaforë që tashmë ka nisur të marrë jetë më vete në debatin publik.

/gazetajone