emiljano dusha mssc spak ron yeffet

Redaksia Investigative – Gazeta Jone

SPAK ka nisur një hetim për kontratat dhe aktivitetin e lidhur me kompaninë shtetërore KAYO dhe partneritetet e saj në industrinë e mbrojtjes. Hetuesit kanë sekuestruar edhe celularin e administratorit të KAYO-s, Ardi Veliu, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes janë marrë dokumente për verifikim. Akuzat e bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj janë të rënda dhe shkojnë deri te pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh.

Veprimet hetimore janë shtrirë te biznesmeni Ron Yeffet, biznesmenia Arjeta Puca dhe drejtuesi i KAYO-s, Ardi Veliu. Sipas raportimeve mediatike, SPAK po heton dyshimet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Në qendër të çështjes janë marrëdhëniet mes institucioneve shtetërore dhe kompanive që janë përfshirë në projektin e industrisë ushtarake shqiptare, shkruan Gazeta Jone. 

Emiljano Dusha
Emiljano Dusha

Ndërkohë, pjesë e kompanive të krijuara për këtë industri është edhe një tjetër partner privat i KAYO-s: Emiljano Dusha, pronari i MSSC Group. Përmes kësaj kompanie, Dusha zotëron shumicën e kapitalit në dy shoqëri të përbashkëta me shtetin, të ngritura për municione dhe uniforma ushtarake.

Por kush është Emiljano Dusha dhe cilat janë lidhjet e tij me sektorin e armëve dhe kompanitë e përfshira në çështjen KAYO?

Dusha është pronari i vetëm i MSSC Group, një kompani e themeluar në vitin 2009, me aktivitet në furnizimin me armë, municione dhe pajisje për ushtrinë dhe policinë. Administrator i saj është Robert Gode. Partneritetet me KAYO-n e kanë zgjeruar rolin e MSSC-së nga furnizues i strukturave të sigurisë në ortak të shtetit në shoqëritë e industrisë së mbrojtjes.

Të dyja shoqëritë e përbashkëta u themeluan më 1 gusht 2025. Te M.K.D — Myslym Keta Defence, MSSC zotëron 80%, ndërsa KAYO 20%. Shoqëria ka si objekt prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm. Dusha figuron edhe kryetar i organit drejtues të saj.

Te Guna Tactical, që merret me uniforma dhe aksesorë ushtarakë, ndarja fillestare ishte 51% për KAYO-n dhe 49% për MSSC-në. Më 12 maj 2026, kompania shtetërore i shiti MSSC-së dy pikë përqindjeje të aksioneve. Pas transferimit, MSSC mori shumicën e kapitalit me 51%, ndërsa pjesëmarrja e shtetit zbriti në 49%.

Në këtë partneritet shfaqet edhe firma e Belinda Ballukut. Vendimi i qeverisë i 28 majit 2025, që përcaktoi kushtet e bashkëpunimit të KAYO-s me privatët për uniformat ushtarake, mban firmën e saj, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit. Vendimi parashikonte vënien në përdorim të të paktën 20 mijë metrave katrorë pasuri të paluajtshme, ndërsa partneri privat duhej të angazhohej për 15 milionë euro investime dhe të paktën 400 punonjës brenda tre vjetëve.

Ron Yeffet
Ron Yeffet

Lidhjet tregtare të Dushës përfshijnë edhe Marsi & Al, kompaninë në pronësi të Petrit Kasapit, një emër me aktivitet të rëndësishëm në furnizimet e ushtrisë. Të dhënat e Thesarit regjistrojnë pagesa shumëvjeçare të reparteve ushtarake për këtë kompani, për uniforma dhe pajisje.

MSSC dhe Marsi & Al kanë qenë partnere në të njëjtin bashkim operatorësh për tenderin “Blerje uniforma dhe pajisje sigurie për punonjësit e OSHEE”. Kontrata u lidh më 24 maj 2019, me vlerë 190,53 milionë lekë pa TVSH, ose 228,636 milionë lekë me TVSH. Bashkëpunimi mes kompanive të Dushës dhe Kasapit është, kështu, i dokumentuar përpara krijimit të partneriteteve me KAYO-n.

Lidhja shfaqet edhe përmes administratorëve. Misar Tufi, që drejton sot Guna Tactical, ka qenë administrator i Marsi & Al nga viti 2014 deri në gusht 2022. Ndërsa Ferzilet Osmëni rezulton në organet drejtuese të M.K.D dhe TIMAK Defence, duke u shfaqur në dy degë të partneriteteve të KAYO-s: atë me MSSC-në e Dushës dhe atë me TIMAK-un e Pucës dhe Yeffet.

Pozicioni i Dushës në industrinë e mbrojtjes lidhet drejtpërdrejt me përzgjedhjen e MSSC-së si partner të shtetit, me angazhimet për investime dhe me transferimin e shumicës së kapitalit të Guna Tactical. Transparenca mbi marrëveshjet, porositë publike dhe vlerësimin e aksioneve të shitura nga KAYO është thelbësore për të kuptuar si janë administruar interesat shtetërore në këto partneritete.

Ku qëndron Emiljano Dusha në gjithë këtë hetim të SPAK?