Trajnime për gratë fermere, por edhe dreka me antipasta, mish keci, byrek në saç dhe pije alkoolike. Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnje, në varësi të ministrisë që drejton Andis Salla, ka parashikuar një tender me vlerë deri në 10 milionë lekë të vjetër për organizimin e aktiviteteve në Berat dhe Gjirokastër.
Sipas dokumenteve të tenderit të cituara nga Gazeta Jonë, aktivitetet do të zhvillohen me 50 pjesëmarrëse, një ditë në zonën e Beratit dhe një ditë në zonën e Gjirokastrës. Procedura është parashikuar të zhvillohet më 5 tetor.
Specifikimet përfshijnë salla konferencash, mikrofonë, dosje dhe transport. Gjithashtu kërkohen kafe, ujë dhe miniëmbëlsira, të shërbyera dy herë gjatë aktivitetit.
Por një pjesë e detajuar e kërkesave i kushtohet menusë së drekave. Për aktivitetin në Roshnik të Beratit parashikohen antipasta të ndryshme, sallatë miks, sallatë Cezar dhe brusketa.
Pjata e dytë duhet të përmbajë 500 gramë mish keci për person dhe garniturë, ndërsa më pas parashikohen byrek në saç dhe patate furre. Menuja plotësohet me ëmbëlsirë, fruta, pije freskuese, verë ose birrë.
Një drekë e ngjashme kërkohet edhe për 50 pjesëmarrëset në Gjirokastër. Pas antipastave, do të shërbehen 500 gramë mish qengji ose keci për person, shoqëruar me garniturë.
Në vend të byrekut, menuja e Gjirokastrës përfshin qifqi me oriz dhe patate furre, ndërsa në fund parashikohen ëmbëlsira, fruta dhe pije pa limit, sipas specifikimeve të cituara.
Fondi mbulon të gjithë organizimin e trajnimeve, përfshirë transportin, ambientet dhe ushqimin. Megjithatë, menuja e bollshme ngre pikëpyetje mbi përparësitë e shpenzimit të parave publike dhe peshën që zë mikpritja krahas përmbajtjes profesionale të këtyre aktiviteteve. /gazetajone



