277A2955-597D-4EA0-82AD-A44B300636EE

Një kompleks gjigant me kulla deri në 27 kate pritet të ndërtohet në zonën e Yzberishtit nga kompania “Fratari Construction 1990”, në pronësi të biznesmenit Hajredin Fratari.

Leja e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit parashikon ndërtimin e kompleksit “Riverway City”, me godina 1, 2, 15–21, 23 dhe 27 kate, si dhe dy kate nëntokë.

Projekti do të përfshijë apartamente, njësi shërbimi, qendër biznesi dhe struktura hotelerie në rrugën “Pjetër Bogdani”, në njësinë administrative Kashar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Gazeta Jonë”, kompleksi do të zhvillohet në një sipërfaqe prej rreth 4.5 hektarësh, afro 4.5 kilometra në perëndim të qendrës së Tiranës dhe vetëm 200 metra larg autostradës Tiranë–Durrës.

Parcela ka formë pothuajse katrore dhe kufizohet nga rrugë në të katër anët. Në veri kufizohet nga lumi Lana, ndërsa në jug nga Bulevardi i Yzberishtit.

“Riverway City” është konceptuar si një lagje e re për rreth 3,500 banorë, me afro 70 mijë metra katrorë sipërfaqe të destinuar për shërbime, kryesisht në katet përdhe.

Në dokumentacion thuhet se projekti do të ketë gjithashtu hapësira publike, park përgjatë lumit, oborre të brendshme, sheshe dhe ambiente rekreative.

Miratimi i kësaj lejeje rikthen në vëmendje përplasjet e forta të së kaluarës mes Hajredin Fratarit dhe Edi Ramës.

Në pranverën e vitit 2007, përpara zgjedhjeve vendore, Fratari e akuzoi publikisht Ramën, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës, se i kishte kërkuar 20% në këmbim të firmosjes së një lejeje ndërtimi.

Akuza shkaktoi debat të madh politik, pasi Fratari konsiderohej biznesmen pranë së djathtës, ndërsa vajza e tij kandidoi më vonë për deputete me Partinë Demokratike.

Megjithatë, pasi çështja kaloi edhe në prokurori, biznesmeni u tërhoq nga pretendimet e tij.

Përplasja mes tyre u rikthye në vitin 2014, një vit pasi Partia Socialiste mori pushtetin. Fratari u arrestua nën akuzën e ndërtimit të paligjshëm, pasi dyshohej se po ndërtonte një pallat pa leje në zonën e Selitës.

Partia Demokratike reagoi asokohe duke e cilësuar arrestimin e tij si një hakmarrje politike të kryeministrit Edi Rama.

Tashmë, 19 vite pas akuzës për “20% të lejes”, emrat e Ramës dhe Fratarit shfaqen sërish në të njëjtën çështje ndërtimi: Fratari si pronar i kompanisë zhvilluese dhe Rama si drejtues i KKTU-së që ka miratuar projektin.

Kullat deri në 27 kate do të sjellin mijëra banorë të rinj në një zonë që vitet e fundit është përballur me ndërtime të shumta dhe dendësi të lartë.

Mbetet për t’u parë nëse “Riverway City” do të funksionojë si një lagje moderne me shërbime dhe hapësira publike, siç parashikohet në projekt, apo do të shtojë më tej betonizimin dhe problemet urbane të Yzberishtit. /gazetajone