Pesë kompani paraqesin oferta më të ulëta dhe të pesta skualifikohen me të njëjtin argument. E vetmja që mbetet në garë është “Atelier 4” e biznesmenit Alban Eftimi, i cili muajt e fundit është paraqitur disa herë në SPAK në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Kompania e tij është shpallur fituese e një tenderi të Bashkisë së Tiranës me vlerë 73 milionë lekë të vjetra, ndonëse kishte paraqitur ofertën më të shtrenjtë nga gjashtë pjesëmarrësit.
Bëhet fjalë për Lotin 1, me objekt studim-projektimin për ndërtimin e një shkolle të mesme në rrugën “Stavri Themeli”, në Njësinë Strukturore TR/228. Fondi limit ishte 80.4 milionë lekë të vjetra.

Në garë morën pjesë gjashtë kompani. “A & E ENGINEERING” ofroi 67 milionë lekë, ndërsa “DERBI-E” 69 milionë lekë. Të dyja, bashkë me tre operatorët e tjerë, u skualifikuan nga Bashkia e Tiranës.
Arsyeja ishte e njëjtë për të pestat, ofertat financiare rezultonin më të ulëta se tarifa minimale e përcaktuar nga legjislacioni për shërbimin e projektimit.
Kështu, “Atelier 4”, me ofertën prej 73 milionë lekësh, mbeti e vetmja kompani e kualifikuar dhe u shpall fituese.

Diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj fituese ishte 6 milionë lekë të vjetra. Kjo shumë mund të ishte kursyer nga buxheti i bashkisë nëse oferta më ekonomike do të përmbushte kriteret ligjore.
Dokumentacioni i tenderit tregon se të pesë operatorët e skualifikuar janë eliminuar me një arsyetim pothuajse identik. Bashkia pretendon se ata nuk kanë respektuar tarifën minimale të projektimit.

Por si shpjegohet që pesë kompani pjesëmarrëse në të njëjtën procedurë kanë paraqitur oferta nën minimumin ligjor, ndërsa vetëm kompania e Alban Eftimit ka përmbushur këtë kriter?
Nëse skualifikimet janë të mbështetura në ligj, mbetet për t’u sqaruar përse pesë operatorë kanë llogaritur gabim të njëjtën tarifë. Një rrethanë që meriton shpjegim, sidomos kur përfundimi i procedurës është shpallja fituese e ofertës më të lartë.
Nga tenderat publikë te kullat 40-katëshe
“Atelier 4” është një prej kompanive të Alban Eftimit që operon në fushën e arkitekturës dhe projektimit, me angazhime në projekte publike dhe private.
Ndërkohë, Eftimi zotëron edhe 50% të aksioneve të kompanisë “Green Living”, e cila ka marrë leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit për ndërtimin e dy kullave 40-katëshe në rrugën “Kristo Luarasi”, në Tiranë.
Por aktiviteti i tij ka tërhequr së fundmi edhe vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme.
SPAK, kontrollet në “Atelier 4” dhe vila në Dhërmi
Alban Eftimi është paraqitur disa herë në SPAK për të dhënë shpjegime në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në fund të korrikut, hetuesit ushtruan kontrolle në ambientet e kompanisë “Atelier 4”, ku sekuestruan dokumente dhe materiale që dyshohet se kanë lidhje me projektin e arredimit të një vile luksoze në Dhërmi.
Vila, e sekuestruar më herët nga autoritetet, është pjesë e verifikimeve për dyshimet se mund të bëhet fjalë për një pasuri të padeklaruar të lidhur me Belinda Ballukun.
Përfshirja e emrit të Eftimit në këto veprime hetimore nuk do të thotë se ai është shpallur fajtor apo se kompanitë e tij kanë ndonjë pengesë ligjore për të marrë pjesë në prokurime publike.
Ndërsa SPAK vijon hetimet, “Atelier 4” vazhdon të fitojë kontrata me institucione shtetërore.
Në tenderin e fundit të Bashkisë së Tiranës, pesë kompani nuk arritën të kalonin as pragun e kualifikimit, megjithëse ofruan çmime më të ulëta. E vetmja që e kaloi ishte kompania e Alban Eftimit.
Bashkia mund të ketë zbatuar saktësisht ligjin. Por mbetet për t’u shpjeguar se si pesë konkurrentë gabuan pikërisht aty ku fituesi kishte llogaritur gjithçka siç duhej.



