samir mane tv scan tbu

Samir Mane, i protretizuae shpesh në media edhe si oligark, po zgjeron me shpejtësi perandorinë e tij të pasurive të paluajtshme jashtë Shqipërisë, ndërkohë që emri i tij dhe investimet e grupit BALFIN janë përfshirë në verifikimet e Prokurorisë së Posaçme.

Pas raportimeve për blerjen e dy godinave tregtare në Hannover dhe Bonn, Mane ka konfirmuar edhe marrjen në pronësi të ndërtesës historike Hertie-Haus në qendër të Mynihut, një transaksion që sipas vlerësimeve mediatike kapërcen 100 milionë euro.

Në një intervistë për gazetën gjermane tz, publikuar më 8 nëntor, Mane konfirmoi se ndërtesa ishte marrë zyrtarisht në dorëzim më 6 nëntor 2026. Vlera përfundimtare e blerjes nuk është bërë publike.

Zgjerimi i investimeve në Gjermani vjen pas një periudhe gjatë së cilës grupi BALFIN ka përfituar në Shqipëri një sërë lehtësish shtetërore, nga statuset e investitorit strategjik te përdorimi afatgjatë i plazheve, kalimi i pronave publike dhe përjashtimet nga taksat.

Këto miliarda të bëra këtu me lehtësirat që i dha Shqipëria, tani po nxirren jashtë.

Por cilat janë konkretisht përfitimet që qeveria shqiptare i ka dhënë kompanive të Samir Manes? Gazeta Jonë ka bërë disa verifikime në dokumente publike, përtej atyre nën tavolinë.

Dokumentet zyrtare tregojnë se vetëm për projektin Green Coast në Palasë, kompanitë e lidhura me BALFIN kanë marrë disa herë statusin e investitorit strategjik, duke përfituar trajtim të posaçëm administrativ.

Në vitin 2016, Green Coast mori status strategjik për një investim të parashikuar prej 52.5 milionë eurosh. Në dhjetor 2020, statusi u miratua për një fazë tjetër me vlerë 125.4 milionë euro, ndërsa në shkurt 2021 projekti Green Coast 2 përfitoi miratimin për një investim prej 60.8 milionë eurosh.

Një ndër përfitimet më të rëndësishme lidhet me përdorimin e bregdetit.

Me vendimin nr. 544 të vitit 2016, qeveria i dha Green Coast të drejtën e përdorimit të brigjeve dhe plazhit për 20 vite, kundrejt tarifës së përcaktuar prej 100 lekësh për metër katror në muaj gjatë sezonit.

Por në korrik 2021, qeveria Rama vendosi ta zgjasë këtë afat në 30 vite, duke i shtuar investitorit edhe një dekadë përdorimi të bregdetit. Vendimi krijoi gjithashtu mundësinë e shtimit të sipërfaqeve të plazhit brenda koordinatave të miratuara.

Një tjetër përfitim është kalimi i 8,774 metrave katrorë tokë shtetërore në Palasë në favor të Green Coast.

Me vendimin nr. 476, datë 13 korrik 2022, qeveria miratoi shitjen e kushtëzuar të kësaj sipërfaqeje për 18,732,490 lekë, ose rreth 2,135 lekë për metër katror.

Kalimi përfundimtar i pronësisë u kushtëzua me realizimin e projektit dhe ndërtimin e hotelit me pesë yje. Vendimi dhe projektkontrata tregojnë çmimin e miratuar, ndërsa regjistrimi përfundimtar i pronësisë kërkon verifikim në Kadastër.

Lehtësitë vijuan edhe në vitin 2023, kur Green Coast mori statusin special të investitorit në strukturë akomoduese me pesë yje.

Ky status i hapi rrugë përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për 10 vite për aktivitetin e kualifikuar hotelier, aplikimit të TVSH-së 6% për shërbimet përkatëse dhe përjashtimit nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimin e hotelit.

Pra, për një pjesë të investimit, shteti krijoi një regjim fiskal ndjeshëm më të favorshëm se ai që zbatohej për bizneset e zakonshme.

Përfitimet nuk shtrihen automatikisht mbi të gjitha vilat dhe aktivitetet e kompleksit.

Mbështetja shtetërore nuk kufizohet vetëm në Palasë. Në korrik 2016, projekti turistik New Born në Hamallaj, nën drejtimin e Mane TCI, përfitoi gjithashtu statusin e investitorit strategjik për një investim të parashikuar prej 26 milionë eurosh.

Vendimi për këtë projekt parashikonte procedura prioritare, asistencë për lejet, mbështetje infrastrukturore dhe miratim në parim të përdorimit të një sipërfaqeje plazhi prej 70 mijë metrash katrorë, me kushtet përfundimtare që do të përcaktoheshin veçmas.

Por ndërsa lehtësitë e ligjshme dokumentohen në vendimet e qeverisë, SPAK ka nisur të verifikojë edhe marrëdhënie të dyshuara financiare rreth Green Coast.

Në qershor 2026, hetimet e dosjes “Aruba” nxorën në dritë komunikime në platformën SKY ECC, ku persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge diskutonin për përfshirjen e pronave të tyre në projektin Green Coast.

Në këto komunikime përmendet edhe emri i Samir Manes dhe një pagesë prej 3 milionë eurosh, që sipas diskutimeve të personave të përfshirë do të lidhej me zhvillimin e pronave dhe ndërtimin e vilave.

Grupi BALFIN i ka kundërshtuar pretendimet, duke deklaruar se nuk ka pasur transaksione financiare mes Manes dhe personave të përmendur në ato komunikime.

Ndërkohë, në shtator 2026, Mane u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje, në kohën kur Prokuroria po hetonte edhe çështjen e një vile në Green Coast të lidhur me dosjen Balluku.

Në këtë kontekst, blerjet e fundit në Gjermani ngrenë pyetje për burimet e financimit, marrëdhënien mes përfitimeve fiskale në Shqipëri dhe zgjerimit ndërkombëtar të grupit.

Marrja e kredive apo përdorimi i kapitalit të kompanive për investime jashtë vendit janë veprimtari të ligjshme, por struktura e plotë e financimit të transaksioneve të fundit nuk është bërë publike.

Një gjë është e dokumentuar: ndërsa kompanitë e lidhura me Samir Manen kanë përfituar për vite me radhë lehtësi nga shteti shqiptar, grupi BALFIN tashmë po investon në pasuri të rëndësishme në tregun gjerman. /Gazeta Jone