IMG_6258

Prokuroria e Posaçme po verifikon dyshimet për përfitime të paligjshme nga fondet e AKSHI-t dhe kalimin e mundshëm të parave drejt personave të lidhur me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, përfshirë vëllain e saj, Izet Hyseni, i njohur edhe si Izet Dingler. VNA ka mësuar se ndaj tij ka nisur një hetim penal në kuadër të verifikimeve për transfertat financiare që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe dyshimet për korrupsion e pastrim parash.

Emri i Izet Hysenit ka dalë në hetimet e SPAK pas zbulimit të një tentative transferte prej 450 mijë eurosh nga kompania “Fortis Beton”, e biznesmenit Orest Sota, drejt një shoqërie gjermane të administruar nga vëllai i ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shqiptar.

Bëhet fjalë për kompaninë “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”, me seli në Mynih të Gjermanisë, administrator i së cilës rezulton Izet Dingler. Shoqëria është regjistruar në Gjermani me numër HRB 281618 dhe ushtron aktivitet në sektorin e ndërtimit dhe punimeve të infrastrukturës. Transferta prej 450 mijë eurosh është iniciuar më 26 shkurt 2024, me përshkrimin “Pagesë për kontratë huaje”, por është anuluar një ditë më vonë, më 27 shkurt. Për rrjedhojë, paratë nuk rezultojnë të jenë transferuar në llogarinë e kompanisë gjermane.

Megjithatë, tentativa e transfertës ka ngritur dyshime te hetuesit e SPAK për marrëdhëniet financiare ndërmjet Orest Sotës, njerëzve të afërt të Ergys Agasit dhe familjarëve të Vlora Hysenit.

Prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti po ndjekin gjurmët e parave të dyshuara se kanë origjinën nga përfitimet e paligjshme në tenderat e AKSHI-t. Sipas dyshimeve të prokurorisë, një pjesë e këtyre fondeve mund të jenë kanalizuar përmes kompanive private drejt personave të afërt të ish-drejtoreshës së SHISH, në këmbim të informacioneve sekrete që dyshohet se i janë dhënë Ergys Agasit.

Për të verifikuar këtë pistë, SPAK ka dërguar letërporosi në Gjermani dhe Kosovë, duke kërkuar informacione për llogaritë bankare, transfertat, pasuritë dhe aktivitetet tregtare të Izet Dinglerit, si dhe lidhjet financiare me familjarët e tij.

Autoriteteve gjermane u është kërkuar gjithashtu të mundësojnë marrjen në pyetje të Izet Dinglerit dhe të sigurojnë bilancet financiare të kompanisë së tij.

Por Izet Dingler nuk është një emër i panjohur për drejtësinë evropiane. Në shtator të vitit 2020, emri i tij u publikua nga mediat italiane në kuadër të operacionit ndërkombëtar antidrogë “Karaburun”, të zhvilluar nga autoritetet e Antimafias në Kalabri.

Gazeta italiane “Corriere della Calabria”, në një artikull të datës 25 shtator 2020, e rendit Izet Dinglerin, të lindur në Kosovë, mes 237 personave të përfshirë në hetimin për trafik ndërkombëtar droge.

Operacioni lidhej me rrjete kriminale që dyshoheshin për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës, heroinës dhe marijuanës në Itali dhe vende të tjera evropiane. Mes personave të përfshirë në hetime kishte edhe shtetas nga Kosova dhe Shqipëria.

Gjashtë vjet më vonë, emri i tij shfaqet sërish në një hetim penal, këtë herë në Shqipëri, ku SPAK po verifikon lidhjet financiare mes kompanisë gjermane që ai administron dhe shoqërisë “Fortis Beton”.

Hetimet për këtë pistë zhvillohen paralelisht me procedimin penal nr. 20/1, ku Vlora Hyseni është nën hetim për veprat penale të “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Nxjerrjes së sekretit hetimor”, ndërsa po verifikohen edhe dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

Tashmë SPAK kërkon të zbardhë jo vetëm arsyen e transfertës së anuluar prej 450 mijë eurosh, por edhe marrëdhëniet financiare dhe pasurore që mund të lidhin përfituesit e tenderave të AKSHI-t me familjarët e ish-drejtoreshës së SHISH.