Krahas dosjes së trafikut të kokainës, ku në komunikimet mes Alfredo Hamzait dhe një tjetri flitet për një shumë prej 3 milionë eurosh ndaj Samir Manes kundrejt nxjerrjes së një lejeje ndërtimi për dhjetëra vila pranë Green Coast, emri i kompanisë Balfin Construction, pjesë e grupit Balfin të biznesmenit Samir Mane, del edhe në dosjen e SPAK për skandalin e tokave në Zvërnec dhe Akërni.
Në këtë dosje po hetohen transaksione me sipërfaqe të mëdha toke “pyll” në bregdetin e Vlorës, të cilat sipas dyshimeve të prokurorisë janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë futur në qarkullim përmes kontratave shitblerjeje me vlera të larta.
SPAK ka sekuestruar disa kontrata shitblerjeje tokash në zonën e Zvërnecit dhe Akërnisë, në kuadër të hetimeve për manipulime me pronat dhe pastrim parash. Mes dokumenteve të sekuestruara është edhe një kontratë ku përmendet kompania “Balfin Construction” sh.p.k. dhe shoqëria “South Adriatic Development” sh.p.k.
Sipas dokumentit që ka parë Gazeta Jonë, “Balfin Construction” përmendet në kontekstin e një marrëveshjeje shitjeje-blerjeje me “South Adriatic Development”, për një pronë “Pylltari” me sipërfaqe 181 mijë metra katrorë.
Bëhet fjalë për pronën me numër 262/1/1, e cila më pas shfaqet në një kontratë shitjeje që do të lidhej para noteres Amelia Mukaj mes “South Adriatic Development” dhe blerësit “Land Co”.

Pjesa më interesante e dokumentit është se SPAK evidenton se “South Adriatic Development”, për të njëjtën tokë, kishte lidhur më parë një marrëveshje shitjeje dhe blerjeje me “Balfin Construction” sh.p.k.
Pra, kompania e grupit Balfin del në zinxhirin e marrëveshjeve për një sipërfaqe të madhe toke në zonën e Akërnisë dhe Zvërnecit, në një dosje ku prokuroria dyshon se prona të mëdha janë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë përdorur për transaksione financiare.
Megjithatë, nga dokumentet që ka parë redaksia, kjo kontratë deri në momentin e sekuestrimit nga SPAK nuk rezulton e firmosur, por ka qenë në formë drafti.
SPAK ka sekuestruar në këtë dosje një sërë kontratash dhe marrëveshjesh që lidhen me prona “Pylltari”, të cilat përfundojnë te shoqëria “Land Co”. Në listën e këtyre pronave përfshihet edhe sipërfaqja prej 181,000 m², ku shfaqet përmendja e Balfin Construction.
Në dokument, prokuroria ngre dyshime se këto pasuri janë përfituar me dokumente të falsifikuara dhe se me to po kryheshin transaksione financiare, çka ka sjellë edhe sekuestrimin e llogarive bankare dhe shumave të mëdha të lidhura me shitjet.
Përmendja e Balfin Construction nuk do të thotë automatikisht se kompania apo Samir Mane janë nën akuzë në këtë pjesë të dosjes. Por fakti që emri i kompanisë del në një kontratë për 181 mijë metra katrorë tokë, brenda një hetimi të SPAK për tokat në bregdetin e Vlorës, e bën këtë një zhvillim të rëndësishëm krahas Green Coast dhe bisedave mes trafikantëve se ai mund t’u nxirrte një leje ndërtimi kundrejt 3 milionë eurove. /gazetajone.com



