Avokati dhe aktivisti i njohur, Dorian Matlija ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në protestën qytetare, duke theksuar se mbetet pjesë e saj, por duke u distancuar qartë nga individët që, sipas tij, po përpiqen ta përfaqësojnë apo ta drejtojnë protestën pa asnjë mandat.
Matlija shprehet se është dhe do të mbetet pjesë e protestës për mbrojtjen e natyrës, të zonës Vjosë-Nartë, flamingove, transparencës, si dhe kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe arrogancës së pushtetit.
Megjithatë, ai nënvizon se, pikërisht për të garantuar suksesin e protestës, distancohet nga “mikrofoni dhe përfaqësimi i vetëshpallur”, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të popullit vetëm pse ka marrë një mikrofon apo ka krijuar një grup organizativ.
“Populli flet vetë, me praninë masive në shesh, me korin, me pankartat, me këngët dhe me dinjitetin”, shprehet ai.
Avokati kritikon gjithashtu atë që e quan “fantazi institucionale të analfabetëve kushtetues”, duke u distancuar nga idetë për kuvende imagjinare, sekretariate patriotike, qeveri teknike të shpallura në mënyrë arbitrare dhe iniciativa që, sipas tij, nuk mbështeten në logjikë juridike apo kushtetuese.
Matlija dënon edhe çdo akt dhune gjatë protestave, duke theksuar se distancohet nga përdorimi i vezëve, gurëve, thyerjeve, teorive konspirative dhe çdo veprimi që i jep alibi pushtetit për të delegjitimuar kauzën qytetare.
Ai pranon se për një periudhë kishte zgjedhur të heshtte për të mos krijuar përçarje, por shton se kjo heshtje ka lejuar që disa persona të sillen sikur janë “pronarë” të protestës.
Ai thekson se nuk distancohet nga protesta, por vetëm nga ata që, sipas tij, po përpiqen ta marrin peng dhe po e dëmtojnë atë.
Sipas Matlijës, protesta duhet të rikthehet te qytetarët, te mbrojtja e natyrës, te flamingot, te pjesëmarrja masive, humori, pankartat kreative dhe te kërkesa e qartë politike për dorëheqjen e pushtetit, ndërsa përfundon me mesazhin: “Populli është protagonisti i vetëm. Gjithçka tjetër është zhurmë që me dashje ose pa dashje i shërben pushtetit.”
Deklarata e avokatit Dorian Matlija:
Unë jam dhe do mbetem pjesë e protestës qytetare. Jam në këtë protestë për natyrën, për Vjosë-Nartën, për flamingot, për transparencën, kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit dhe arrogancës së pushtetit.
Për arsye se dua që kjo protestë të ketë sukses, sot distancohem qartë nga:
Mikrofoni dhe përfaqësimi i vetëshpallur. Askush nuk ka mandat të flasë në emër të popullit vetëm pse ka kapur një mikrofon, ka hipur në një shkallë apo ka krijuar një grup whatsappi. Protesta nuk ka nevojë për fytyra të vetëshpallura. Populli flet vetë, me praninë masive në shesh, me korin, me pankartat, me këngët, dhe me dinjitetin.
Fantazitë institucionale të analfabetëve kushtetues të veshura me flamur patriotik. Distancohem nga kuvendet imagjinare, sekretariatet patriotike, qeveritë teknike të shpikura, listat e shpallura pa logjikë juridike dhe kërkesat që ngatërrojnë dëshirën me Kushtetutën.
Çdo aksion që i jep alibi pushtetit. Distancohem nga vezët, gurët, thyerjet, dhuna, teoritë konspirative dhe çdo sjellje që e kthen protestën nga kauzë qytetare në karikaturë apo alibi të përdorshme nga qeveria.
Për shumë ditë heshta, si shumë të tjerë, për të mos e përçarë protestën. Por kjo heshtje, e imja dhe shumë të tjerëve si unë, u dha terren atyre që sot sillen sikur janë pronarë të saj. Tani nuk është koha të heshtim, sepse pikërisht kjo heshtje po e lë protestën dhe të gjithë energjinë e saj të shumicës dërrmuese të protestuesve, të shpërdorohet. Një moment i tillë historik nuk vjen më për një kohë të gjatë.
Nuk pranoj t’u bëj drafte, nene dhe teknikalitete ligjore ideve të paqarta të atyre që vetëshpallen ideologë, heronj dhe fytyra të protestës, ndërsa të tjerët t’i përdorin si noterë të konfuzionit të tyre. Unë mund të mbroj protestues të arrestuar, kushdo qofshin ata, për t’u garantuar një proces të rregullt ligjor, respektim të të drejtave procedurale dhe mbrojtje nga çdo abuzim shtetëror. Por mbrojtja ligjore e një protestuesi nuk do të thotë miratim i metodës, i aksionit apo i delirit politik që shpërfaq ndonjë segment apo grup i caktuar.
Në asnjë moment nuk distancohem nga protesta. Distancohem vetëm nga ata që po përpiqen ta marrin peng dhe me dashje apo pa dashje po e dëmtojnë atë.
Protesta duhet të kthehet aty ku ishte më e fortë, te qytetarët, te natyra, te flamingot, te masiviteti, te humori, te pankartat gjithë fantazi dhe te kërkesa e qartë politike për dorëheqjen e një pushteti kriminal dhe arrogant.
Populli është protagonisti i vetëm. Gjithçka tjetër është zhurmë që me dashje ose pa dashje i shërben pushtetit.



