IMG_6840

Vetëm pak orë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dispozitës që parashikon gjobitjen e protestuesve për bllokimin e rrugëve, mazhoranca socialiste miratoi në Kuvend aktin normativ të qeverisë në tërësinë e tij, përfshirë edhe pikën e pezulluar nga gjykata.

Vendimi i Kushtetueses u bë publik ndërsa në seancën parlamentare të së enjtes po diskutohej pikërisht akti normativ për tubimet. Deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe respektimin e vendimit të gjykatës, por përgjigjja e mazhorancës erdhi nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Duhet të jemi të qartë, nuk ka vendim gjykate që pezullon Kuvendin e Shqipërisë të ushtrojë kompetencat e veta sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Është e pavërtetë që Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj sot ka pezulluar zbatimin e aktit normativ. Është e pavërtetë!”, deklaroi Manja.

Sipas tij, pezullimi i një dispozite nuk e pengonte Kuvendin të shqyrtonte dhe miratonte aktin normativ brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh. Në orët e para të mëngjesit të së premtes, socialistët e miratuan atë me 79 vota pro.

Ndërkohë, në vendimin e saj të arsyetuar, Gjykata Kushtetuese evidenton se dispozita që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve është formuluar në mënyrë të përgjithshme, pa bërë dallim as për tubimet e autorizuara. Sipas gjykatës, zbatimi i saj mund të sjellë pasoja serioze dhe të pariparueshme në ushtrimin e të drejtave kushtetuese.

Dy gjyqtare, Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, kanë mbajtur një qëndrim edhe më të gjerë, duke argumentuar se duheshin pezulluar të gjitha dispozitat për të cilat kërkuesit kishin kërkuar pezullim.

Një ditë përpara protestës së 28 nëntorit, socialistët kanë miratuar paketën e qeverisë, por kushtetutshmëria e saj mbetet ende objekt gjykimi. Votimi në Kuvend nuk shfuqizon masën e pezullimit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.