Shqipëria ende nuk ka vënë në funksion linjën moderne hekurudhore që do të lidhë Tiranën me Durrësin dhe aeroportin e Rinasit, por qeveria ka nisur të kërkojë partnerë ndërkombëtarë për një projekt shumë më të madh: hekurudhën Durrës-Prishtinë, me synimin për ta lidhur më tej me Evropën Qendrore.
Kryeministri Edi Rama u ka propozuar sipërmarrësve japonezë përfshirjen në këtë investim, gjatë një takimi të zhvilluar të martën, më 17 nëntor. Sipas tij, projekti ka rëndësi jo vetëm për ekonominë dhe transportin, por edhe për NATO-n, për shkak të ndërtimit të portit të ri të Durrësit.
Rama deklaroi se e ka diskutuar disa herë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, mundësinë e angazhimit të Japonisë në ndërtimin e linjës Durrës-Prishtinë-Nish, e cila do të krijonte një korridor hekurudhor drejt Evropës Qendrore.
Ai theksoi gjithashtu se porti i ri i Durrësit parashikohet të ketë një pjesë të dedikuar për aktivitetet ushtarake dhe ato të NATO-s, duke e konsideruar lidhjen hekurudhore me Kosovën një investim me rëndësi strategjike.
Por ndërsa qeveria kërkon investitorë japonezë për hekurudhën ndërkombëtare, projekti shumë më i hershëm Tiranë-Durrës-Rinas vazhdon të mos jetë funksional për pasagjerët.
Madje, vetëm një ditë përpara deklaratave të Ramës, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, konfirmoi se përfundimi i infrastrukturës së linjës Tiranë-Durrës parashikohet tashmë në fund të vitit 2027.
Sipas tij, punimet për shinat janë realizuar në masën rreth 90%, ndërsa stacionet kanë arritur në 75%. Ndërkohë, elektrifikimi i linjës mbetet ende një komponent i papërfunduar.
Ky është një tjetër ndryshim i afateve të shpallura ndër vite për një investim, financimi fillestar i të cilit u miratua në vitin 2016.
Në prill të vitit 2025, ministrja e atëhershme e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaronte se hekurudha do të dorëzohej brenda atij viti, ndërsa ndërtimi i stacioneve dhe elektrifikimi do të përfundonin në pranverën e vitit 2026.
As ky parashikim nuk u realizua.
Megjithatë, historia e projekteve të transportit modern mbi shina në Tiranë është shumë më e vjetër dhe përfshin të dyja krahët e politikës.
Në mars të vitit 2011, gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha u premtoi banorëve të Kombinatit ndërtimin e një tramvaji që do ta lidhte zonën me qendrën e kryeqytetit.
Në qershor 2014, pasi kishte kaluar tre vite në drejtimin e Bashkisë, Basha prezantoi projektin e linjës Kombinat-Kinostudio. Sipas tij, tramvaji do ta përshkonte itinerarin në vetëm 24 minuta, ndërsa kostoja e investimit përllogaritej në rreth 160 milionë euro.
Basha deklaronte se projekti ishte gati dhe se për realizimin e tij nevojitej mbështetja financiare e qeverisë. Megjithatë, tramvaji nuk u ndërtua.
Por edhe Edi Rama, përpara se të bëhej kryeministër, kishte prezantuar projektin e tij të transportit me tramvaj.
Në prill të vitit 2011, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, Rama propozoi projektin “Tram Tirana”, që parashikonte pesë linja kryesore, përfshirë lidhjen e kryeqytetit me aeroportin e Rinasit.
As ky projekt nuk u materializua.
Më pas, vëmendja u zhvendos nga tramvajet te trenat, me premtimin se modernizimi i hekurudhës Tiranë-Durrës dhe lidhja me Rinasin do të ndryshonin mënyrën e udhëtimit dhe do të krijonin një alternativë ndaj transportit rrugor.
Projekti u përfshi edhe në programin qeverisës të Partisë Socialiste për periudhën 2021-2025, por katër vite pas nisjes së kësaj periudhe, udhëtarët ende nuk kishin në dispozicion shërbimin e premtuar.
Kështu, në 15 vite, kryeqyteti ka kaluar nga projektet e tramvajit te hekurudha moderne, ndërsa tani qeveria synon një lidhje ndërkombëtare që përfshin Kosovën, Serbinë dhe Evropën Qendrore.
Dallimi mes projekteve të prezantuara dhe shërbimeve të vëna realisht në funksion mbetet i dukshëm: ndërsa diskutohet për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe përfshirjen e Japonisë, qytetarët e Tiranës vazhdojnë të presin trenin për në Durrës dhe Rinas. /gazetajone



