Një zjarr i nisur nga djegia e një sasie bari pranë një banese dyshohet se qëndron pas flakëve masive që përfshinë malin e Krujës dhe rrezikuan rreth 30 banesa gjatë së shtunës.
Sipas të dhënave të Komisariatit të Krujës, rreth orës 14:30 të datës 8 gusht, policia u njoftua për një vatër të madhe zjarri në lagjen “Abazaj”, e cila, e favorizuar nga era, u përhap më pas drejt malit të Krujës, në zonën pranë restorant “Horizont”.
Nga verifikimet e kryera në terren rezultoi se një banor i zonës, Qemal Haxhi Berhami, 73 vjeç, kishte djegur bar në afërsi të banesës së tij. Sipas policisë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi drejt malit.
Në orët e para ndërhyrja u përballua kryesisht nga strukturat vendore, ndërsa gjatë mbrëmjes situata u rëndua dhe u bë e dukshme përmasa e rrezikut për zonat e banuara.
Autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve në zonat më të ekspozuara, duke u dhënë përparësi fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve në zona të izoluara.
Në operacion u angazhuan mjetet e Bashkisë Krujë, zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.
Në mbrëmje në vendngjarje mbërritën edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm dhe ministri i Mbrojtjes, ndërsa puna vijoi për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave.
Ngjarja tregon edhe një herë se sa shpejt një zjarr i vogël, i ndezur pranë një banese, mund të shndërrohet në një emergjencë që rrezikon një zonë të tërë të banuar.



