Filipinasi Mark Samson, i akuzuar për vrasjen makabre të studentes shqiptare Ilaria Sula, ka shprehur dëshirën për t’i dërguar një letër familjes së viktimës për t’i kërkuar falje. Lajmi është bërë publik nga avokati i tij, Fabrizio Gallo, pas një vizite në burg mëngjesin e sotëm. Sipas mbrojtjes, 23-vjeçari po përpiqet të paraqitet i penduar dhe të lehtësojë gjendjen e tij ligjore në prag të proceseve të mëtejshme gjyqësore.
“Do të përpiqet të shpjegojë arsyet e pakuptimta të veprimeve të tij dhe i lutet nënës së tij që të jetë zëri i tij për të shprehur keqardhjen dhe për t’u kërkuar falje prindërve të Ilarias, sepse ai nuk mund ta bëjë këtë në këtë moment,” deklaroi Gallo.
Mark Samson ka pranuar autorësinë e vrasjes së Ilaria Sulës, 22 vjeçe, me origjinë shqiptare, e cila u zhduk më 25 mars në Romë dhe u gjet e pajetë më 2 prill, e futur në një valixhe në një zonë të pyllëzuar në Poli. Trupi i saj u identifikua pas një jave kërkimesh intensive.
Sipas hetimeve, krimi është kryer në banesën familjare të Samsonit në rrugën Homs të lagjes afrikane të Romës, në prani të nënës së tij, e cila dyshohet se ka ndihmuar më pas në fshehjen e provave. Roli i saj në këtë ngjarje vijon të jetë objekt hetimi.
Zgjedhja e Samsonit për të shprehur pendesë përmes një letre dhe përpjekja për t’u dukur i ndjeshëm ndaj dhimbjes së familjes së viktimës ngre pikëpyetje për motivet e tij të vërteta – pendesë e sinqertë apo një strategji për të zbutur qëndrimin e gjykatës ndaj tij? Përballë një krimi të tillë të rëndë dhe të përshkallëzuar nga veprime pas vrasjes, drejtësia do të duhet të vlerësojë me kujdes jo vetëm fjalët, por edhe kontekstin dhe peshën e veprimeve./gazetajone



