IMG_1264

Vetëm 17.3% e popullsisë votuese brenda Shqipërisë e ushtroi të drejtën e votimit deri në orën 11, sipas të dhënave të pjesshme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me një rënie 3.6% në krahasim me vitin 2021. Pjesëmarrja më e ulët është shënuar në të gjitha qarqet e vendit, por rënia më e madhe shënohet në Elbasan, minus 5% dhe ajo më e ulëta shënohet në Lezhë, minus 2.2%.

Në zgjedhjet e vitit 2021 votuan 1.67 milionë shqiptarë ose 46.3% e votuesve. Nëse tendenca e sotme nuk ndryshon deri në mbyllje të kutive të votimit, kësaj here ka gjasa do të kemi rreth 60 mijë vota më pak.

Gjithsesi, në këto zgjedhje një pjesë e qytetarëve që jetojnë në emigrim kanë votuar me postë, gjë që do të thotë se pjesëmarrja finale do të jetë më e lartë se sa më 2021. Deri në këto momente në KQZ kanë mbërritur 188 mijë vota.

Numri i votuesve në Shqipëri, ku përfshihen votuesit brenda dhe votuesit me postë, është rritur në këto zgjedhje në 3.71 milionë nga 3.59 milionë që ishte në vitin 2021./birn