“Besimi i ndërtuar ndërmjet shoferëve të identifikuar të autobusëve dhe përzgjedhja pikërisht e tyre nga pronarët e parave ka qenë pika thelbësore e funksionimit të kësaj metode. Ata, në mënyrë të vazhdueshme, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për transferimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal. Kjo marrëdhënie është e bazuar në një ekuilibër të përfitimit reciprok, pasi edhe shoferët marrin një përqindje të caktuar për transportin e parave dhe rrezikun që të dy palët marrin përsipër. Shtetasi Musa Korca ka treguar vazhdimisht përpikmëri në transportin e parave pa incidente dhe kjo tregon një nivel qëndrueshmërie në këtë marrëdhënie bashkëpunimi”, thuhet më tej.
Sipas SPAK, janë evidentuar disa raste të transportit të parave, ku janë të përfshirë Elvis Doci, kushëriri i tij Indrit Tafili dhe Ogert Shqevi, “truri” i kompanive të Xhevdet Troplinit.
“Komunikimet ndërmjet përdoruesit të SkyECC 23Axxx, i paidentifikuar, me SkyECC C3289B, i identifikuar si Elvis Doci, fillojnë rreth datës 08.06.2020, të cilët shkëmbejnë mesazhe në lidhje me trafikimin e lëndëve narkotike deri tek transporti i shumave monetare nga shitja e saj”, sqarojnë hetuesit.
“Kutia me banane që arrin me datë 15, kaloja shokut t’i kontrollojë…”, i shkruan personi i paidentifikuar Elvis Docit.
Siç rezulton nga bisedat, shoferët janë të besuarit e grupit. Ata marrin përqindjen e tyre për sjelljen e parave. Paratë cash vendosen në qese me vakum dhe secili grup vendos shenjën përkatëse.
“Taksirat lë të marrë një aparat vakumi, t’i fusë ndonjë qese vetë, se ngela duke iu thënë atyre jevgjve”, shkruan Elvis Doci.
SPAK ka mundur të identifikojë disa raste të transportit të parave, ku shumat variojnë nga 75 mijë euro deri në 275 mijë euro. Transporti i parave bëhet me autobusët e kompanisë Firence Lines, ndërsa lëvizjet koordinohen dhe paratë mblidhen nga njerëzit e Xhevdet Troplinit. Në një nga rastet, Ogert Shqeveri ka koordinuar lëvizjen e 289 mijë e 700 eurove përmes një autobusi të drejtuar nga shoferi Musa Korca. /vna.al



