-900-0-1748499774xgjpng-948

Elon Musk ka dhënë dorëheqjen nga administrata Trump. Largimi i tij ishte i shpejtë dhe i thjeshtë. Ai nuk pati një bisedë zyrtare me Trump përpara se të njoftonte largimin e tij. Në një postim në platformën e tij të mediave sociale X, njeriu më i pasur në botë falënderoi Donlad Trump për mundësinë për të ndihmuar në drejtimin e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, i njohur si ‘Doge’.

“Ndërsa koha ime e planifikuar si punonjës i posaçëm qeveritar po mbaron, do të doja të falënderoja Presidentin Donald Trump për mundësinë për të ulur shpenzimet e panevojshme”, shkroi Musk në X.

Largimi i Musk vjen një ditë pasi ai kritikoi pjesën qendrore të axhendës legjislative të Trump, duke thënë se ishte “i zhgënjyer” nga ajo që presidenti e quan “projektligji i tij i madh dhe i bukur”. Gjatë javëve të fundit, Musk ishte përplasur privatisht me disa zyrtarë të nivelit të kabinetit. Ai sulmoi publikisht këshilltarin tregtar të Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, duke e quajtur “idiot” për refuzimin e iniciativës së Musk për “tarifa zero” mes SHBA-së dhe Evropës.

DOGE

Mandati 130-ditor i Musk si punonjës i veçantë qeveritar në administratën Trump ishte planifikuar të përfundonte rreth datës 30 maj. Administrata ka deklaruar se përpjekjet e DOGE për të ristrukturuar dhe zvogëluar qeverinë federale do të vazhdojnë.

“Misioni i DOGE do të forcohet gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës, duke u bërë mënyrë jetese në të gjithë qeverinë,” tha Musk.

Trump dhe DOGE kanë arritur të shkurtojnë afro 12%, ose 260,000, të fuqisë punëtore civile federale me 2.3 milionë punonjës, kryesisht përmes kërcënimeve për pushime nga puna, nxjerrjen para kohe në pension dhe ofertave për dalje të hershme nga puna, sipas një analize të Reuters për largimet nga agjencitë. Të martën, Musk kritikoi koston e lartë të projekt-ligjit të ri për taksat dhe buxhetin që po kalon në Kongresin amerikan.

“U zhgënjeva kur pashë projekt-ligjin masiv të shpenzimeve, i cili në fakt rrit deficitin buxhetor, nuk e ul atë, dhe minon punën që po bën ekipi i DOGE,” tha Musk për CBS News.

Aktivitetet politike të tij kanë shkaktuar protesta dhe disa investitorë kanë kërkuar që ai të largohet nga roli i këshilltarit të Trump dhe të merret më afër me menaxhimin e Tesla-s, e cila ka pësuar rënie të shitjeve dhe çmimit të aksioneve.

Musk, personi më i pasur në botë, ka mbrojtur rolin e tij si zyrtar jo i zgjedhur, të cilit Trump i dha autoritet të paparë për të shpërbërë pjesë të qeverisë amerikane.