Një nga kompanitë që punoi për vite me radhë në kaniterin e rrugës Qukës – Qafë Plloçë është rikthyer sërish duke fituar tendera nga i njëjti institucion, megjithëse ai segment në juglindje u shemb ende pa u marrë në dorëzim.
Bëhet fjalë për kompaninë “Albavia” që kishte një nga lotet e atij segmenti, teksa tashmë drejtori i ri i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, e ka shpallur fituese për rehabilitimin e Kombinat – Ndroq – Plepa, loti i dytë.
Tenderi kishte një prej 12.5 milionë euro, ndërkohë që garuan një mori firmash, ku në fund kompania me pronar Hasan Hafizi (52 %) dhe Shkëlqim Rakipaj (48 %) u shpall fituese, pavarësisht se nuk ishte oferta më e ulët. Megjithatë, ajo që vihet re në këtë rast është se kjo kompani ka marrë pikët maksimale, duke u “toleruar” për zgjatjet e pambarimta në kantierin e Qukësit, teksa në këtë rast ka futur edhe disa firma si nënkontraktorë.
Ashtu si shumë kompani të tjera të mëdha, edhe “Albavia” ka pasur lidhjet e forta në politikë, pasi bashkëshortja e Hasan Hafizit, aksionerit që ka mazhorancën e aksioneve, ka qenë deputete. Mimoza Hafizi ka qenë në listat e Partisë Socialiste, ndërkohë që pas përfundimit të mandatit, duket se i është kushtuar totalisht biznesit familjar.
Nëse ka “dorë” për të ndihmuar bashkëshortin, në letra nuk del, teksa mazhranca aktuale ka vepruar gjithmonë me influenca.

Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për rikonstruksionin e linjës Kombinat – Plepa, loti i dytë
Në datën 16 shtator 2026, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka shpallur fituesin e radhës në tenderat e rrugëve, të cilat i ka ndarë me lote, e para për të kënaqur të gjithë ndërtuesit dhe e dyta për shpejtësi, por koha e ka treguar se edhe nëse ndahen me lote, sërish ka vonesa dhe shtesa fondesh. Madje ka pasur edhe pagesa të dyfishta apo trefishta për të njëjtin segment, duke shpikur lloj e llojë mariferi për të zhvatur fondet publike.
Dosjet nga ARRSH-ja janë me “thasë”, ku Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur drejtuesi të këtij institucioni shtetëror, madje edhe zv.kryeministren Belinda Balluku. Mjaftojmë të kujtojmë tenderat e Unazës së Madhe për të kuptuar sesi u ndanë procedurat, ndërkohë që hetimet treguan se gjithçka ka qenë e paracaktuar.
Ndërkohë, nëse do të ndalemi te tenderi i fundit i Kozelit, do të shohim se kanë ndryshuar pak gjerat, por sërish nuk fiton “oferta më e ulët”.
Vërtetë kemi kursimin e buxhetit, pasi gara ka sjellë uljen e fondit, por emrat janë të njëjtë, ndoshta edhe ata të favorizuarit në kohën e Ballukut, apo në kohën e Berberit, Verdhos apo Gjylit.
Dokumentet që hulumtoi Vox News tregojnë se “ALBAVIA” do e ndërtojë këtë segment me disa firma mbështetëse, si “JOOS KRASNIQI- BAZE”, “C.A.A.”, “Saimir Poka” dhe “Re-CH Project”.
Objekti i kontratës është “rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, loti 2” me një fond limit 1,177,556,901 lekë dhe me një kohëzgjatje 24 muaj.
Kësaj herë ARRSH përdori një skemë tjetër për shpalljen e fituesit, duke përdorur metodologjinë e pikëve.
S’ishte kriter kryesor çmimi, pavarësisht se kishte 60 pikë.
Kriter ishte edhe metodologjia, stafi, ulja e ndikimit në mjedis dhe garancia. Vlerën më të ulët në këtë tender e kishte kompania “EUROKOS HOLDING” me fond 701 milionë lekë.
Firma “Rafin” ofroi 742 milionë lekë, ndërkohë që këto kompani u vlerësuan me 0 pikë. Firma fituese, “ALBAVIA” ofroi 765 milionë lekë.

Faksimile: Në vitin 2025 firma Albavia deklaroi një fitim prej 1.2 milionë euro
Vitet e fundit, kjo kompani ka xhiruar dhjetëra miliona euro dhe ka qenë një nga të preferuarat, pavarësisht vonesave dhe problematikave në akset e ndërtuara.
Në vitin 2026, kjo kompani ka deklaruar një bilanc me fitim prej 115 milionë lekëve, ose rreth 1.2 milionë euro.



