akshi

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shpallur dy tendera me vlerë të përgjithshme rreth 5 milionë euro pa TVSH, të financuar nga Buxheti i Shtetit, për përmirësimin e platformës konsullore dhe krijimin e një sistemi të ri informatik për burgjet dhe institucionet e vartësisë.

Nga dokumentet e shletuara nga Gazeta Jonë, vërehen dy procedura prokurimi nga AKSHI, të cilat përfshijnë investime në platforma dixhitale me ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimet publike, por që ngjallin gjithashtu interes për shkak të vlerave të larta dhe karakterit teknik të kontratave.

2 milion euro për përmirësimin e platformës konsullore

Tenderi i parë i shpallur nga AKSHI, me numër reference REF-49032-05-26-2025, ka si objekt “Përmirësimin e platformës së shërbimit konsullor online”, një projekt që synon përmirësimin e ndërveprimit mes qytetarëve dhe shërbimeve konsullore shqiptare jashtë vendit.

Ky tender ka një fond limit prej 205 milion lekësh pa TVSH, ose rreth 2.08 milion euro, ku pjesa më e madhe prej mbi 140 milion lekësh është e dedikuar për implementimin e platformës, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga kostot shtesë teknike dhe operacionale. Kontrata do të zhvillohet përmes një procedure të hapur elektronike dhe ka për qëllim modernizimin e infrastrukturës dixhitale konsullore të Ministrisë së Jashtme dhe përfaqësive të saj.

3 milion euro për sistemin informatik të burgjeve

Tenderi i dytë, me numër reference REF-49169-05-27-2025, parashikon ndërtimin e një sistemi informatik të menaxhimit të proceseve të brendshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për infrastrukturën hostuese.

Kontrata, me një fond limit prej 294.9 milion lekësh pa TVSH ose rreth 3 milion euro, është strukturuar në dy komponentë:

  • 253 milion lekë për implementimin teknologjik të sistemit, që duhet të përfundojë brenda 6 muajve nga nënshkrimi i kontratës,

  • dhe 41.5 milion lekë për mirëmbajtjen e sistemit për një periudhë 24-mujore.

Sipas dokumenteve zyrtare, qëllimi është digjitalizimi i menaxhimit të brendshëm të burgjeve, përfshirë sistemet e komunikimit, të dhënat e të dënuarve, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe logjistikën institucionale.

Një verë me tendera “të rëndë”

Në total, të dy procedurat kapin vlerën e rreth 5 milionë euro në një periudhë ku prokurimet publike me karakter teknologjik janë shtuar ndjeshëm. AKSHI, si institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe implementimin e teknologjive të informacionit në sektorin publik, po zbaton një sërë projektesh të reja dixhitale në përputhje me prioritetet e qeverisë për “Shqipërinë Digjitale”.

Megjithatë, këto tendera të mëdhenj shpesh ngjallin debat për transparencën e garës dhe përfituesit përfundimtarë, sidomos në mungesë të një monitorimi të pavarur për zbatimin efektiv të kontratave.

Për më tepër, projektet që lidhen me sistemin penitenciar dhe shërbimet konsullore kanë natyrë sensitive dhe ndikojnë direkt në aksesin e qytetarëve ndaj drejtësisë dhe shërbimeve shtetërore, ndaj mbikëqyrja ndaj tyre është e domosdoshme. /gazetajone