Prokuroria e Elbasanit ka përfundua hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë punonjës policie, shtetasit Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T. nën akuzë për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në përfundim të një hetimit të plotë, të gjithanshëm duke përdorur dhe metodat proaktive të hetimit në bashkëpunim dhe me AMP, Dega Elbasan-Korçë, mbi procedimin penal nr.377 të vitit 2024, u arrit të identifikohen disa raste të korrupsionit të punonjësve të policisë ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim mosndëshkimin e tyre administrativisht.
Shtetasit XH.S, E.H, A.T, N.XH punonjës të policisë pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë akuzuar respektivitsht për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, më shumë se njëherë të parashikuar nga neni 259/1, 248, të Kodit Penal. Ndërsa shtetasit E.K, B.T, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.
Gjatë veprimtarisë së tyre këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse konstatonin rastet e kundërvajtjes administrative të drejtuesve të mjeteve nuk procedonin me dashje me vendosjen e masës administrative duke dëmtuar interesat financiarë të shtetit dhe interesin publik.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirrje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.



