anuela ristani

Tenderi i bujshëm prej rreth 465 milionë lekësh për mobilimin e zyrës së kryetares së Bashkisë Tiranë është pezulluar pas ndërhyrjes së Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), i cili konstatoi shkelje dhe kritere diskriminuese në procedurë. Vendimi vjen pas ankesës së kompanisë “Klame” SHPK, e cila akuzoi për favorizim dhe kufizim të pjesëmarrjes në tender.

Sipas dokumenteve që ka konsultuar Gazeta Jonë, janë rrëzuar të gjitha kushtet shtesë të vendosura nga autoriteti kontraktor, të cilat e bënin praktikisht të pamundur konkurrencën e lirë në këtë procedurë. Në fokus të ankesës ishte tenderi me objekt “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë”, planifikuar të zhvillohej më 23 qershor 2025.

Tender me dy lote dhe afate të pazakonta

Procedura e prokurimit ishte ndarë në dy lote: Loti 1 për pajisje zyrash me fond limit 15.4 milionë lekë dhe Loti 2 për pajisje dhe orendi të tjera me fond 31 milionë lekë, të dyja pa përfshirë TVSH. Vlera e përgjithshme e kontratës arrinte në mbi 46 milionë lekë pa TVSH. Ndërkohë, afati i zbatimit të kontratës parashikonte një periudhë prej një viti, një kohë e pazakontë për mobilimin e ambienteve zyrtare.

Testimi i mobiljeve jashtë vendit, kosto 10 mijë euro për kolltukun e ri

Një nga kriteret më të debatueshme ishte kërkesa për testimin e mobiljeve në laboratorë të huaj të akredituar, pasi sipas dokumenteve zyrtare, në Shqipëri mungojnë këto kapacitete testuese. Sipas llogaritjeve të bëra në ankesë, realizimi i testimeve jashtë vendit do të kërkonte jo vetëm shpenzime mbi 10 mijë euro për çdo artikull të testuar, por edhe disa muaj kohë për prodhimin dhe dorëzimin e mostrave.

Në ankesën e dorëzuar në KPP theksohej gjithashtu se operatorët që mund të dispononin paraprakisht teste të tilla, do të kishin akses të parakohshëm në specifikimet teknike, gjë që përbën shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tender sipas Kodit Penal.

Kufizime të tjera të paprecedenta: mjetet e transportit dhe ambientet prodhuese

Përveç testimeve, Bashkia Tiranë kishte vendosur si kriter që operatorët të zotëronin mjete transporti me kapacitet mbi 1.5 ton, ndonëse sipas ankesës, shumica e pajisjeve të mobilimit nuk kanë peshë që kërkon mjete të tilla. Po ashtu, kërkohej që subjektet të dispononin ambiente prodhimi ose magazinimi mbi 1000 m², duke shtuar më tej barrën burokratike mbi pjesëmarrësit.

KPP e cilësoi këtë kriter si të pajustifikuar teknikisht dhe pengesë të panevojshme për konkurrencën e ndershme.

Lista luksoze e mobilimit: nga kolltuku rrotullues tek kasaforta sekrete

Sipas dokumenteve që ka konsultuar Gazeta Jonë, lista e pajisjeve të kërkuara përfshinte 58 artikuj të ndryshëm, që varionin nga kolltukë luksozë me lëkurë ekologjike dhe tavolina ovale në stilin e Shtëpisë së Bardhë, deri tek raftet për lodra, kuzhinë me pajisje të integruara dhe kasaforta sekrete me mbrojtje të veçantë.

Veçanërisht për kolltukun e kryetares kërkohej që të përmbushte standardet europiane SH EN 1335-1:2021, të kishte mekanizma fiksimi të pozicioneve dhe bazament metalik në formë ylli. Ndërkohë, ishte parashikuar edhe blerja e shpërndarësit të ushqimit me rrota për dërgimin e ushqimeve në zyrë apo verandë.

Bashkia me borxhe, por fondet për mobilimin e ri gati

Tenderi i diskutueshëm për mobilimin e ri vjen në një kohë kur Bashkia e Tiranës rezulton me mbi 12 milionë euro detyrime të papaguara, duke kryesuar listën e borxheve mes bashkive të vendit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, detyrimet e papaguara të institucioneve publike janë rritur me 21 milionë euro vetëm gjatë muajve të parë të vitit.

Pavarësisht situatës së vështirë financiare, fondet për ndryshimin e mobiljeve ekzistuese të zyrave funksionale janë planifikuar për tu shpenzuar në këtë tender, i cili tashmë është rikthyer për rishikim të plotë pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik./gazetajone