Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj organizatës kriminale “Çopja”, të drejtuar nga vëllezërit Hajdar Bako dhe Franc Gergely (Çopja) me bazë në Elbasan.
Në ngarkim të tyre dhe 33 të pandehurve të tjerë janë ngritur akuza të rënda për vrasje me pagesë, tentativa vrasjesh, korrupsion ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, bashkëpunim me punonjës policie dhe pastrim parash.
Një rrjet i gjerë kriminal që vepronte në disa qytete
Hetimet e SPAK, të zhvilluara në bashkëpunim me autoritetet e huaja përmes letërporosive ndërkombëtare dhe platformës së komunikimit të koduar SKY ECC, kanë dokumentuar ekzistencën e një rrjeti kriminal të strukturuar, i cili operonte në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Organizata kishte rekrutuar punonjës policie për mbledhje informacioni dhe mbështetje operative, ndërsa fitimet nga trafiku i drogës i pastronte përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe biznese në qytetet kryesore të vendit.
Sipas SPAK, veprimtaria e “Çopjave” nisi në vitet 2006–2007 në Itali, ku vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja shpërndanin lëndë narkotike, për t’u zgjeruar më pas në Europë dhe Shqipëri. Pas vitit 2018, grupi u fuqizua dhe nisi vrasje me pagesë dhe bashkëpunime me grupe të tjera ndërkombëtare të trafikut të kokainës.
Drejtuesit dhe struktura e grupit
Sipas akuzës, organizata drejtohej nga Hajdar Bako (Çopja) dhe Franc Gergely (Çopja), ndërsa pjesë e saj ishin emra të njohur të botës së krimit si Talo Çela, Mikael Qosja (Kamami), Eljo (Ervis) Bitri dhe Flobenc Meçja, që përbënin krahun e armatosur të grupit.
Në listën e 33 të pandehurve gjenden gjithashtu ish-zyrtarë të policisë, gjyqtare dhe sekretare gjyqësore të përfshira në korrupsion dhe në ndihmë ndaj aktivitetit kriminal.
SPAK ka dokumentuar se grupi ka korruptuar funksionarë të sistemit të drejtësisë dhe policisë, për të mbyllur dosje apo për të favorizuar pozitat e anëtarëve të tij në procese gjyqësore.
Akuzat dhe faktet penale
Lista e akuzave përfshin vrasje të shumta me paramendim dhe tentativa për eliminimin e rivalëve, kryesisht në Elbasan, Peqin, Rrogozhinë dhe Berat.
Mes tyre janë ngjarje të rënda si:
-
Vrasja e Endrit Alibej, Arben Dylgjerit dhe shtetasit turk Erdal Duranay, më 29 dhjetor 2018 në Bradashesh.
-
Vrasja e Klevin Bahos dhe plagosja e vëllait të tij Aldo Baho, më 1 korrik 2019 në Broshkë.
-
Vrasja e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit, më 13 dhjetor 2019 në Peqin.
-
Vrasja e Klevis Kapllanit, më 15 shtator 2020 në Sinaballaj.
Gjithashtu janë dokumentuar përpjekje të dështuara për vrasjen e Nuredin Dumanit, Erion Alibejt, Qani Alibejt dhe anëtarëve të tjerë të grupeve rivale gjatë viteve 2019–2021.
Përveç veprave të rënda të dhunës, SPAK ka ngritur akuza për “korrupsion aktiv e pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, “shpërdorim detyre”, “zbulim të akteve sekrete”, si dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”përmes investimeve në ndërtim dhe biznese.
Pastrimi i parave dhe lidhjet financiare
Hetimet kanë zbuluar se të ardhurat e gjeneruara nga trafiku i kokainës janë investuar në sektorin e ndërtimit dhe në kompani tregtare, kryesisht në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Sipas SPAK, paratë janë kanalizuar përmes personave të tretë dhe zyrave të këmbimit valutor, për të fshehur origjinën e tyre. Një nga këto pika është identifikuar me emrin “B.LIKA CIMI & KENI Exchange”, që përdorej për transferime “cash” brenda dhe jashtë vendit.
Sekuestrimet dhe pasuritë e bllokuara
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar mbi 40 pasuri të paluajtshme, përfshirë vila, apartamente, toka dhe biznese shërbimi, si dhe llogari bankare në disa banka të nivelit të dytë.
Gjykata e Posaçme ka dhënë disa vendime për sekuestrim preventiv, përfshirë ato të datës 29 korrik dhe 10 shtator 2024, që prekin pasuritë dhe llogaritë e disa prej të pandehurve, mes tyre Bashkim Lika dhe Maklen Mici.
SPAK thekson se veprimtaria e organizatës “Çopja” përbën një nga strukturat më të mëdha kriminale të goditura në vitet e fundit, me degëzime në sistemin e drejtësisë, policinë dhe botën e biznesit, ndërsa hetimet për disa pista financiare dhe bashkëpunëtorë të tjerë vijojnë.



