Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet lokale të Maqedonisë së Veriut është drejt fundit, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një epërsi të qartë të VMRO-DPMNE-së, e cila kryeson në 53 komuna të vendit.
Koalicioni shqiptar VLEN ka arritur të fitojë në 9 komuna, ndërsa Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH)kryesojnë në 5 të tjera.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për t’u zgjedhur kryetar komune në raundin e parë, një kandidat duhet të sigurojë mbi 50 për qind të votave të vlefshme. Në rast se asnjë kandidat nuk e arrin këtë prag, raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor, mes dy kandidatëve me më shumë vota nga raundi i parë.
Procesi u zhvillua në 3,474 qendra votimi në të gjithë territorin e vendit, ndërsa në listën e votuesve u regjistruan 1,832,415 qytetarë me të drejtë vote.
Në zgjedhje morën pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, me gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista për anëtarë këshillash.
Rezultatet përfundimtare pritet të zyrtarizohen në ditët në vijim nga KSHZ-ja, ndërsa fokusi tashmë zhvendoset tek komunat ku gara do të përsëritet në raundin e dytë.



