lorena goxhobelli martin kala kadastra

Qeveria planifikon t’i japë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të drejtën për të anuluar aktet e paligjshme të pronësisë që janë nxjerrë nga vetë strukturat e saj.

Ndryshimi është pjesë e projektligjit për proceset kalimtare të pronësisë, i cili është hedhur për konsultim publik. Ai përcakton se çfarë do të ndodhë kur Kadastra zbulon se një legalizim ose një akt tjetër që ka krijuar pronësi është miratuar në kundërshtim me ligjin.

Kjo nuk do të thotë se Kadastra mund të anulojë pa kufizim çdo certifikatë pronësie në Shqipëri. Procedura lidhet me aktet e nxjerra nga ASHK-ja dhe ndryshon në varësi të kohës kur zbulohet shkelja dhe nëse prona vazhdon të jetë te përfituesi fillestar apo është shitur.

Kur Kadastra mund ta anulojë aktin e vet

Nëse shkelja zbulohet brenda afateve të Kodit të Procedurave Administrative dhe prona vazhdon të jetë në emër të personit që e ka përfituar fillimisht, Kadastra mund ta shfuqizojë ose anulojë aktin. Ajo mund të konstatojë gjithashtu se akti është plotësisht ose pjesërisht i pavlefshëm.

Nëse personi i prekur nuk bën ankim administrativ, anulimi hyn menjëherë në fuqi dhe ndryshimi pasqyrohet në kartelën e pronës.

Kjo do të thotë se përfituesi mund ta humbasë pronësinë e krijuar nga akti i paligjshëm, pa qenë e nevojshme që Kadastra t’i drejtohet fillimisht gjykatës. Ky rregull zbatohet vetëm kur prona nuk është shitur dhe nuk kanë kaluar afatet ligjore për anulimin e aktit.

Çfarë ndodh kur vendimi ankimohet

Pronari ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin e Kadastrës. Nëse paraqitet ankim administrativ, anulimi pezullohet deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Gjatë kësaj kohe, në kartelën e pasurisë vendoset një shënim dhe prona bllokohet për veprime të tjera. Praktikisht, ajo nuk mund të shitet, dhurohet ose të përdoret për transaksione që do ta kalonin te një person tjetër, derisa të përfundojë shqyrtimi i ankimit.

Kadastra duhet t’ua njoftojë vendimin palëve të interesuara brenda pesë ditëve.

Kur çështja duhet të shkojë në gjykatë

Kadastra nuk mund ta heqë vetë pronësinë kur prona është shitur ose ka kaluar te persona të tretë. Ajo nuk mund ta bëjë këtë as kur shkelja zbulohet pasi kanë kaluar afatet administrative.

Në këto raste, ASHK-ja vetëm konstaton problemin dhe ia dërgon dosjen Avokaturës së Shtetit ose subjektit që ka të drejtë të ngrejë padi. Bashkë me dokumentet duhet të dërgohet edhe një relacion ku shpjegohet se si është shkelur ligji.

Më pas është gjykata që vendos nëse akti duhet anuluar dhe çfarë do të ndodhë me pronën. Deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, konstatimi i Kadastrës nuk e heq pronësinë e personit që e ka blerë ose përfituar atë.

Ky kufizim synon të mbrojë personat e tretë që mund ta kenë blerë pronën pa qenë pjesë e shkeljes fillestare.

Pezullohet kompensimi për legalizimet e paligjshme

Projektligji trajton edhe rastet kur një legalizim i paligjshëm ka sjellë kompensimin e pronarit të tokës së zënë nga ndërtimi informal.

Nëse anulohet akti i legalizimit, Kadastra duhet të kërkojë edhe anulimin e vendimit të qeverisë për kompensimin e parcelës. Pagesa pezullohet dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave njoftohet që të mos e kalojë shumën te pronari.

Nëse kompensimi është paguar më parë, pronari fillestar mund ta marrë përsëri tokën vetëm pasi të kthejë paratë e përfituara. Deri në kthimin e plotë të shumës, mbi pronën vendoset një hipotekë ligjore.

Pra, anulimi i një legalizimi mund të sjellë disa pasoja njëkohësisht: Humbjen e titullit nga përfituesi, bllokimin e shitjes së pronës, pezullimin e kompensimit dhe detyrimin e ish-pronarit për të kthyer paratë e marra. /skyweb.al