Valon Lluka, ish-bashkëpunëtor i biznesmenit Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me aeroportin e Vlorës, ku emri i Llukës është akuzuar drejtpërdrejt nga Pacolli.
Në një deklaratë publike, Lluka shprehet se ndjen detyrimin të sqarojë opinionin dhe të mbrojë integritetin e tij personal dhe profesional, duke e cilësuar reagimin e Pacollit si “tërësisht të pavërtetë dhe pa asnjë bazë faktike”.
Sipas tij, për çdo veprim që lidhet me transaksionet e aeroportit të Vlorës ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara nga vetë Behgjet Pacolli dhe kompania “Mabco Construction SA” me seli në Lugano, si pronare ligjore e aksioneve.
Lluka bën të ditur se, për shkak të deklaratave që sipas tij dëmtojnë imazhin dhe reputacionin personal, ka vendosur të ngrejë padi për shpifje dhe dëmtim imazhi ndaj Pacollit, duke bashkëngjitur të gjitha provat dhe komunikimet përkatëse.
Deklarata e plotë:
Në lidhje me deklaratat e publikuara së fundmi nga z. Behgjet Pacolli lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe përmendjen e emrit tim në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndjej detyrimin të reagoj publikisht për të sqaruar opinionin dhe për të mbrojtur integritetin tim personal dhe profesional.
Deklaratat e z. Pacolli janë plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike.
Më vjen keq që një person që ka qenë në dijeni të plotë për çdo fazë dhe çdo hap të procedurave përkatëse, sot zgjedh të bëjë deklarata të rreme, ndërkohë që për çdo veprim ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara jo vetëm nga vetë z. Behgjet Pacolli, por edhe nga Mabco Construction SA, Lugano, si pronare ligjore e aksioneve.
Të gjitha këto dokumente, së bashku me transferet bankare ndërmjet palëve të përfshira në këtë transaksion, janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës si prova dhe fakte zyrtare që dëshmojnë ligjshmërinë dhe transparencën e plotë të çdo veprimi tim.
Në rrethana të tilla, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe shpifjeve që dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin tim, kam vendosur të ngre padi për dëmtim imazhi dhe shpifje, duke bashkangjitur të gjitha provat, dokumentet dhe komunikimet përkatëse që vërtetojnë të kundërtën e çdo pretendimi të bërë publikisht.
Unë mbetem i përkushtuar ndaj së vërtetës, ligjit dhe institucioneve, i bindur se drejtësia do të vërtetojë çdo fakt dhe se opinioni publik do të njoftohet me realitetin e plotë të kësaj çështjeje.



