IMG_5346

Policia greke ka arrestuar dhjetëra persona të dyshuar se janë shtirur si fermerë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit miliona euro nga fondet bujqësore të Bashkimit Evropian, të cilat më pas i kanë shpenzuar për mallra luksoze dhe udhëtime.

Disa nga 37 personat e arrestuar të mërkurën ishin DJ, kamarierë apo kishin profesione të tjera pa lidhje me bujqësinë, thanë zyrtarët e zbatimit të ligjit në Greqi për Financial Times.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), e cila heton krimet financiare që lidhen me fondet e BE-së, tha se të dyshuarit ishin pjesë e një rrjeti ku individë pretendonin në mënyrë të rreme pronësi mbi tokë dhe bagëti për të përfituar fonde bujqësore. Zyra me seli në Luksemburg tha se ka identifikuar paraprakisht 324 persona të lidhur me rastin që kanë përfituar subvencione nga BE-ja.

Sipas vlerësimeve të policisë greke, grupi kriminal ka arritur të përfitojë rreth 20 milionë euro në subvencione mes viteve 2018 dhe 2022.

Ky rast është pjesë e një hetimi më të gjerë të EPPO për keqpërdorimin e ndihmës bujqësore të BE-së, e shpërndarë përmes agjencisë qeveritare greke për subvencione bujqësore (OPEKEPE), e cila është kontrolluar dy herë këtë vit.

Agjencia, deri vonë, ishte përgjegjëse për shpërndarjen e rreth 2.4 miliardë eurove në vit për fermerët grekë. Athina ka pezulluar çdo pagesë përmes OPEKEPE-së deri në përfundimin e hetimeve.

EPPO tha se grupi kriminal i goditur të mërkurën, 22 tetor, besohet se ka operuar në të gjithë Greqinë të paktën që nga viti 2018. Grupi ka “përfituar nga boshllëqet procedurale” në aplikimet për ndihmën bujqësore dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara për të përfituar subvencione nga OPEKEPE, tha zyra e prokurorit të BE-së.

Hetuesit thanë se disa anëtarë të grupit dyshohen se “kanë përfituar nëpërmjet mashtrimit tokë bujqësore dhe kullota që nuk u përkisnin” ose nuk ishin të përshtatshme për subvencione. Ata gjithashtu kishin fryrë numrin e bagëtive për të rritur shumën e përfituar, sipas EPPO.

Për të fshehur gjurmët, të dyshuarit përdornin “fatura fiktive” dhe kanalizonin fondet përmes “llogarive të shumta bankare”, duke i përzier me të ardhura të ligjshme. “Një pjesë e parave të përvetësuara në mënyrë të paligjshme dyshohet se është shpenzuar për mallra luksoze, udhëtime dhe automjete”, tha EPPO.

Komisioni Europian ka gjobitur Greqinë me 400 milionë euro pasi zbuloi dështime sistematike në menaxhimin e subvencioneve bujqësore të BE-së mes viteve 2016 dhe 2023.

Në maj, EPPO kontrolloi selinë e OPEKEPE-së, dhe policia greke kreu një kontroll të dytë në korrik si pjesë e një hetimi paralel.

Qeveria greke ka reaguar duke njoftuar reforma që do ta bashkojnë OPEKEPE-në me administratën tatimore, në përpjekje për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien.

Përtej dimensionit penal, skandali ka shkaktuar një stuhi politike. Parlamenti ka miratuar një komision të posaçëm për të hetuar OPEKEPE-n dhe ngjarjet e viteve të fundit. Një ministër kabineti dhe katër deputetë janë detyruar të japin dorëheqjen muajt e fundit mes trazirave.

Komisioni tha se ka “shprehur shqetësimet” për reformën e planifikuar nga qeveria greke për OPEKEPE-n, të cilën e përshkroi si “jo plotësisht të kënaqshme”. Athina ka afat deri më 4 nëntor për të dorëzuar një plan të rishikuar, shtoi komisioni.