IMG_5446

APP përjashton për 4 muaj nga tenderët firmën “Kupa” të Shkëlqim Kupës për mashtrime dhe falsifikim dokumentesh

Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur të përjashtojë për një periudhë katërmujore nga pjesëmarrja në tenderë publikë kompaninë “KUPA” sh.p.k, në pronësi të Shkëlqim Kupës, pas konstatimit të shkeljeve të rënda në procedurat e prokurimit dhe falsifikimit të dokumenteve për qëllime kualifikimi.

Vendimi i APP-së

Sipas dokumenteve zyrtare, Drejtoria Juridike dhe e Monitorimit të Procedurave në APP ka përfunduar një procedim administrativ që ka vërtetuar mashtrim nga kompania “Kupa” në tenderin me objekt “blerje asfalto-beton”, të zhvilluar nga Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale në Elbasan.

Në vendim thuhet se procedura është nisur mbi bazën e një shkresë të Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, dhe se gjatë verifikimit u konstatuan të dhëna të rreme të paraqitura për të fituar tenderin.

Bazuar në nenin 78 të Ligjit për Prokurimet Publike, APP ka vendosur përjashtimin e kompanisë nga e drejta për të fituar kontrata publike për 4 muaj, duke e akuzuar për keqinformim dhe dorëzim dokumentesh të falsifikuara.

Tenderët e fundit nën dyshim

Vetëm pak javë para këtij vendimi, kompania “Kupa” kishte fituar dy tenderë të rëndësishëm në Bashkinë e Elbasanit dhe Bashkinë e Librazhdit.

Në Elbasan, tenderi me vlerë 2.4 milionë lekë pa TVSH u fitua me një ofertë pothuajse të barabartë me fondin limit dhe me mungesë konkurrencë, duke ngritur dyshime për paracaktim fituesi.

Ndërsa në Librazhd, kompania u shpall fituese e një procedure me objekt “përmirësim banesash për komunitetet e varfra”, me një ofertë më të lartë se rivalët. Në këtë tender, “Kupa” bashkëpunoi me kompaninë “Hasballa”, duke ofruar 45 milionë lekë, ndërkohë që dy kompani të tjera që ofruan më pak u skualifikuan nga kryetari i bashkisë, Mariglen Disha.

Një kompani e privilegjuar për vite me radhë

Firma “Kupa”, me seli në Kamëz, është një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike gjatë dy dekadave të fundit, me dhjetëra kontrata publike në bashki të ndryshme të vendit. Vetëm në vitin 2025 kompania ka realizuar xhiro mbi 10 milionë euro, duke fituar tendera të përsëritur, shpesh pa konkurrencë reale.

Burime nga terreni theksojnë se pas Shkëlqim Kupës qëndrojnë persona me ndikim politik, që e kanë bërë firmën të paprekshme në procedurat publike.

Hapa të mundshëm hetimorë

Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetime për rastin, por vendimi i APP-së për përjashtimin e kompanisë për keqinformim dhe falsifikim dokumentesh mund të çojë në procedime penale.

Ky zhvillim përbën një sinjal paralajmërues për zyrtarët që kanë favorizuar kompaninë në tenderë të paracaktuar, ndërsa për herë të parë pas shumë vitesh duket se “kupa” e abuzimeve është mbushur plot./gazetajone