Forcat amerikane u përballën me një garë dramatike me kohën për të gjetur dhe shpëtuar një efektiv të mbetur në territor armik në Iran, pasi avioni luftarak F-15E Strike Eagle u rrëzua nga zjarri iranian.
Sipas një analize të detajuar të New York Times, piloti u shpëtua rreth gjashtë orë pas rrëzimit, por oficeri i sistemeve të armëve mbeti i zhdukur, duke u kthyer në fokusin kryesor të ushtrisë amerikane dhe CIA-s për dy ditë me radhë.
I vetëm, i plagosur dhe i armatosur vetëm me pistoletë, efektivi u detyrua të mbijetonte duke u fshehur në një të çarë shkëmbore në një kreshtë malore mbi 2 mijë e 100 metra të lartë.
Avionë zbulimi dhe dronë kontrolluan zonën pranë vendit të rrëzimit, por fillimisht nuk arritën të gjenin asnjë shenjë jete. Ushtria e cilësoi statusin e tij si “i panjohur”.
Sipas analizës, rreth 14 orë pas goditjes së avionit, zyrtarët amerikanë arritën më në fund të kapnin sinjalin e vendndodhjes së oficerit përmes një pajisjeje sinjalizuese që ai mbante me vete.
Megjithatë, përdorimi i saj ishte i ndërprerë, pasi pilotët janë të trajnuar të mos e lënë sinjalin aktiv vazhdimisht, që të mos zbulohen nga armiku.
Në atë moment, Komanda Qendrore e SHBA-ve hoqi dorë nga publikimi i një deklarate për rrëzimin e avionit dhe shpëtimin e pilotit, për të mos rrezikuar operacionin për efektivin e dytë.
New York Times shkruan se Irani kishte ngritur disa grupe kërkimi dhe një prej tyre ishte mbledhur pranë malit ku fshihej efektivi amerikan.
Për Teheranin, kapja e tij do të përbënte një aset të rëndësishëm në një moment tensionesh të larta me Washington-in. Për SHBA-të, shpëtimi i tij ishte një detyrim moral, në përputhje me parimin “asnjë nuk lihet pas”.
Në këtë pikë hyri në lojë CIA. Sipas analizës, agjencia zhvilloi një plan mashtrimi për të fituar kohë, duke përhapur informacion në Iran se efektivi ishte gjetur dhe po nxirrej jashtë vendit me një autokolonë tokësore.
Qëllimi ishte që forcat iraniane të largoheshin nga zona ku ai fshihej dhe të përqendroheshin në rrugët e daljes. Operacioni duket se krijoi konfuzion, por iraninanët njëkohësisht e shtuan kërkimin, madje duke u bërë thirrje qytetarëve në televizionin shtetëror që të kapnin “pilotin armik” në këmbim të një shpërblimi.
Analiza thekson se, ndërsa në terren po përgatitej operacioni i shpëtimit, Presidenti Donald Trump po përshkallëzonte publikisht kërcënimet ndaj Iranit, duke paralajmëruar shkatërrimin e infrastrukturës elektrike nëse Teherani nuk rihapte Ngushticën e Hormuzit.
Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane po përgatiste një mision shumë kompleks, ku u përfshinë rreth 100 trupa të operacioneve speciale, me elementë të SEAL Team 6, Delta Force dhe Army Rangers në gatishmëri, si dhe një forcë më e madhe mbështetëse me helikopterë, avionë zbulimi, avionë luftarakë dhe mjete furnizimi ajror.
Sipas zyrtarëve të cituar nga New York Times, CIA përdori një teknologji të posaçme, unike për agjencinë, për të lokalizuar efektivin në të çarën shkëmbore dhe për të konfirmuar identitetin e tij.
Më pas, zyrtarë amerikanë dhe izraelitë mblodhën të dhëna për të kuptuar nëse ai ishte vetëm, i rrethuar apo i kapur. Pasi u vërtetua se ishte vetëm, misioni i shpëtimit u nis pas errësirës.
Operacioni u zhvillua në kushte tepër të vështira, për shkak të terrenit malor, rrezikut nga forcat iraniane dhe gjendjes së panjohur shëndetësore të efektivit.
Në momentin kur komandot zbritën në objektiv, avionët amerikanë dhe izraelitë hodhën bomba për të ndriçuar dhe goditur zonat përreth.
Nga vendi ku fshihej, efektivi i tregoi shpëtimtarëve drejtimet ku mund të avanconin forcat iraniane. Komandot qëlluan intensivisht për të mbajtur larg çdo kërcënim, por nuk pati përplasje të drejtpërdrejtë me armikun.
Pasi u nxor nga mali, ai u dërgua me helikopter në një pistë të improvizuar brenda Iranit, ku pritej të ngarkohej menjëherë në dy avionë C-130 për t’u transportuar drejt Kuvajtit.
Por, sipas analizës, operacioni hasi një tjetër pengesë serioze: rrotat e përparme të të paktën njërit prej avionëve, ndoshta të dyve, ngecën në rërën e pistës.
Pas disa orësh përpjekjesh të pasuksesshme, u thirrën tre avionë zëvendësues. Vetëm më pas komandot dhe efektivi i plagosur arritën të largoheshin. Pas evakuimit, avionët amerikanë bombarduan dy avionët e bllokuar dhe katër helikopterë të operacioneve speciale, për të mos i lënë të binin në duart e Iranit.
Ndërsa lajmi i shpëtimit u bë publik, Trump reagoi në rrjetet sociale me mesazhin “E morëm!”, por, sipas analizës së New York Times, momenti i triumfit zgjati pak.
Të dielën e Pashkëve, presidenti amerikan iu rikthye menjëherë realitetit të një lufte jo popullore dhe pa një strategji të qartë daljeje: efektivi ishte shpëtuar, por Ngushtica e Hormuzit mbetej ende nën kontrollin iranian, duke vënë në rrezik deri në 20 për qind të furnizimit botëror me naftë dhe ekonominë globale.



