Ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo ka folur pas sulmit me raketa të rezidencës ku ai banon. Ai bëri me dije se situata ka qenë e vështirë, pasi sulmi ka zgjatur për disa orë dhe është shoqëruar me përdorim të dronëve dhe raketave të ndryshme. Filo rrëfen se sulmi rus nisi rreth orës 10 të mbrëmjes të së shtunës dhe përfundoi rreth orës 06:00 të mëngjesit.
“Këtë radhë ishte vërtet shumë sfiduese dhe shumë e fortë si goditje. Për fat të mirë, jemi mirë. Unë jam vetëm këtu në këtë godinë, por jam i vetmi diplomat këtu në këtë godinë. Sulmi ka filluar në orën 22:00 dhe ka zgjatur deri në orën 06:00 të mëngjesit. Ishte një nga sulmet më të forta qër kemi hapur ambasadën vitin e kaluar me dronë dhe raketa nga më të ndryshmet, Iskander… Ka qenë një sulm masiv që ka vazhduar për orë të tëraShumë i vështirë dhe njerëzit, banorët që e përjetuan atë moment u larguan me panik. Kishte fëmijë të vegjël që filluan të qanin dhe njerëzit në Ukrainë janë mësuar me situata të tilla, por në këto përmasa nuk është parë ndonjëherë. Janë pëdorur raketa të llojeve të ndryshme dhe kanë raketa mjaftueshëm për të shkaktuar dëme të mëdha. Gjatë sulmeve u strehuam në bodrumet e sigurta, ku qëndruam deri në mëngjes. Kompleksi ku unë jetoj është shumë pranë ambasadës. Ka pësuar dëme shumë të mëdha nga sulmet. Pashë vdekjen me sy”,-u shpreh Filo për mediat.
Sulmi është dënuar edhe nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili shkruan se jeta e ambasadorit është vënë në rrezik serioz, duke e konsideruar këtë diçka të papranueshme. Sipas ministrit, Shqipëria “dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë” të ndërmarrë nga Rusia kundër objektivave civile në Ukrainë, duke e konsideruar atë një “shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor”.



