-1000-0-1c07b972-a15c-42a0-a2f9-7007af2382a3-6aa3bbad02b7d

Në dosjen e SPAK për ish-ministren Belinda Balluku janë administruar edhe komunikime të brendshme mes punonjësve të kompanive të grupit BALFIN, të biznesmenit Samir Mane, lidhur me dorëzimin e vilës luksoze që Prokuroria e Posaçme dyshon se është pasuri e fshehur e Ballukut.

Emailet tregojnë se brenda kompanisë kishte paqartësi për mënyrën se si vila me numër 188/1, e porositur sipas kontratës nga Igli Tare, ishte marrë në dorëzim nga Lorela Reçi, bashkëjetuesja e biznesmenit Arbër Abazi.

Në nëntor 2022, një punonjës i BALFIN Real Estate u shkruante kolegëve: “Lorela Reçi ka 187/2, jo 188/1… mos është lapsus?”. Përgjigjja ishte e shkurtër: “E autorizuar!”.

Pikëpyetjet u rikthyen në shkurt 2023, kur një punonjës tjetër kërkoi të dinte mbi çfarë baze vila i ishte dorëzuar një personi të ndryshëm nga porositësi i përcaktuar në kontratë.

“Më rezulton se njëra nga 188 i është dorëzuar një klienti tjetër të ndryshëm nga porositësi. Mbi ç’bazë dhe konfirmim?”, shkruante ai.

Në përgjigje, një punonjëse e kompanisë sqaroi se vila 188/1 ishte marrë në dorëzim nga Lorela Reçi me autorizim dhe për llogari të Igli Tares. “Është rast pak specifik”, thuhet në email.

Megjithatë, komunikimet tregojnë se punonjësi kërkoi që dorëzimi të sistemohej sipas kontratës së sipërmarrjes dhe që çdo veprim i kryer me vilën 187/2 të zhbëhej.

Sipas SPAK, ndërtimi i vilës deri në fazën e karabinasë ishte financuar nga Igli Tare, ndërsa punimet e mëvonshme dyshohet se janë paguar nga Arbër Abazi.

Abazi zotëron kompaninë “Alko Impex General Construction”, e cila kishte fituar tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës gjatë kohës kur Belinda Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Emailet e BALFIN-it janë bërë pjesë e dosjes si dokumente që tregojnë lëvizjet dhe paqartësitë rreth dorëzimit të vilës. Nga informacioni i publikuar nuk rezulton që SPAK të ketë ngritur akuza ndaj Samir Manes apo punonjësve të grupit, por komunikimet e tyre përdoren për rindërtimin e mënyrës se si prona kaloi nga porositësi i kontratës te Lorela Reçi. /gazetajone