collage-1-7

Qeveria ka refuzuar një projekt të firmës 5D për të ndërtuar një kompleks turistik në zonën e Himarës, teksa projekti duket mjaft i dyshimtë, pasi e njëjta kompani u hetua për lidhje me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, disa prej të cilëve u dënuan dhe janë në liri.

Dyshimet mbeten për faktin sesi një kompani ka në pronësi një sipërfaqe prone të stërmadhe në Himarë, si e përfituan dhe çfarë do të investonin, në një kohë që pronari i saj me letra Nestor Muhametllari, u hetua nga Prokuroria e Posaçme.

Në dosjen e SPAK-ut kishte edhe emrin e Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, të cilët u dënuan për lidhje të forta me 5D-në. Disa vite pas kësaj dosje, e njëjta firmë tenton që të marrë një super leje, por që ka hasur në kundërshtimin e fortë të kryeministrit Edi Rama.

Rama “shuplakë” ish drejtorëve të Veliajt –
Faksimile: Vendimi i KKTU-së për ti refuzuar lejen firmës 5D për një kompleks turistik në Himarë

Sipas dokumenteve, në datën 13 maj 2026, qeveria ka zbardhur vendimin për t’i refuzuar lejen një firme të lidhur me ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës.

“Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit vendosi refuzimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘kompleks turistik 1-2 kate, me 3 kate nëntokë’, me vendndodhje në bashkinë Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘5D Konstruksion’” thuhet në dokument.

E njëjta kompani është në pronësi të z. Nestor Muhametllari, i hetuar në dosjen e SPAK-ut, madje i është sekuestruar edhe telefoni, ku janë gjetur biseda dhe dokumente që faktonin lidhjet me drejtorët. Muhametllari ka pasur komunikime me shtetasin Mariglen Qato dhe Redi Mollën.

Rama “shuplakë” ish drejtorëve të Veliajt –
Faksimile: Blerja e firmës V.A.S Konstruksion nga Nestor Muhametllari

Në vitin 2021, Nestor Muhametllari e bleu kompaninë V.A.S Konstruksion nga Muhameti Petriti në vlerën e 1 milionë lekëve të rinj, ose më pas se 10 mijë euro. Transaksioni ishte tepër i dyshimtë, për faktin se deri në atë kohë firma në fjali xhironte miliona euro.

Rama “shuplakë” ish drejtorëve të Veliajt –
Faksimile: Vendimi i Nestor Muhametllarit për të ndryshuar emrin nga V.A.S Konstruksion në 5D Konstruksion

Po në vitin 2021, disa muaj pasi Nestor Muhametllari e bleu kompaninë, ai i ndryshoi emrin nga V.A.S në 5D. Prokuroria dyshonte se ndryshimi i emrit erdhi për shkak të influencës që 5 drejtorë të mëdhenj në Bashkinë e Tiranës kishin në këtë firmë. Disa ish drejtorë u hetuan, dënuan dhe janë liruar, ndërkohë që veprimtaria e disa të tjerëve është ende e pa hetuar.