640-0-1785355370xwhatsapp-image-2026-07-29-at-92740-pm-1-762

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj publikimit të diskutimeve të tij dhe Edi Ramës në media, duke deklaruar se kjo është një përpjekje e qëllimshme për ta “poshtëruar” dhe për ta eliminuar politikisht brenda Partisë Socialiste.

I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Braçe u shpreh se publikimi i komunikimeve të brendshme nuk është rastësi, por pjesë e një lufte të brendshme në Grupin Parlamentar.

“I nxjerrin mesazhet sepse kanë qëllim të më poshtërojnë. Për mua është shumë e rëndë. Edhe ajo që ka dalë nga mbledhja e grupit është transformuar dhe hedhur në publik. Nuk është ashtu si është paraqitur. Është ta nxjerrësh për ta vrarë tjetrin politikisht”, tha Braçe.

Sipas tij, personi që ka nxjerrë mesazhet synon ta largojë nga ndikimi brenda Grupit Parlamentar, pasi e konsideron rival.

“Ai që e ka nxjerrë këtë kërkon të të largojë nga fusha e brendshme e Grupit Parlamentar një njeri që e sheh aty prej vitesh, që e konsideron konkurrent dhe e ka problem. Unë nuk kam problem me qenien e atij. I konsideroj kolegë”, u shpreh deputeti socialist.

Braçe kujtoi edhe një rast të mëparshëm, kur pas incidentit me hedhjen e vezëve ndaj deputeteve socialiste kishte kërkuar në grupin e brendshëm që të njoftohej policia. Edhe ai mesazh, sipas tij, u publikua më pas në media dhe u interpretua politikisht.

“Nuk është vetëm ndaj meje kjo sjellje. E kanë pësuar edhe të tjerë si unë dhe guxojnë ta bëjnë. Këto interpretohen si përpjekje për eliminim. Ja, kjo më bën të them se ka luftë të brendshme në PS”, deklaroi Braçe.