Skandalet me shpërndarjen e fondeve të Startup Albania duket se nuk kanë fund. Pas zbulimit se mes fituesve të Grantit 2026 gjenden sërish emra që kishin marrë para publike edhe një vit më parë, një tjetër problem del në sipërfaqe. Këtë herë nuk bëhet fjalë vetëm për fituesit, por nëse vetë rregullat e garës janë respektuar.
Dhe dokumentet ngrenë pikëpyetje serioze.
Një skemë përmes së cilës janë shpërndarë rreth 6 milionë euro fonde publike, duke e krahasuar atë me kriteret e përcaktuara në Rregulloren e Thirrjes dhe me të dhënat publike të subjekteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Nga ky verifikim rezulton se një numër biznesesh të shpallura fituese në Fazën 3 janë regjistruar në QKB më pak se një vit përpara thirrjes. Disa prej tyre rezultojnë të jenë regjistruar madje pasi gara për grantet ishte hapur.
Por rregullorja e hartuar nga vetë institucionet përgjegjëse thotë diçka tjetër.
Sipas Seksionit 5, “Kriteret dhe Dokumentacioni i Nevojshëm për Financimin e Startup-eve”, aplikantët në Fazën e Rritjes, ose Faza 3, duhet të kenë qenë të regjistruar mbi një vit në regjistrin tregtar dhe të kenë dorëzuar të paktën një bilanc pranë organeve tatimore përpara aplikimit.

Skema i ndan aplikantët në tri kategori: Faza 1 për idetë fillestare, me financim deri në 1.5 milionë lekë; Faza 2 për validimin, deri në 4.5 milionë lekë; dhe Faza 3 për rritjen, ku financimi mund të arrijë deri në 9 milionë lekë.
Në letër kriteri është i qartë, por sapo rregullorja vendoset përballë listës së fituesve, nis një histori tjetër.
Rasti i Alban Fejzajt është ndër më flagrantët. Fejzaj, me projektin “Onemor App”, është shpallur fitues në Fazën 3 dhe ka përfituar 4,600,000 lekë nga fondet e programit. Por problemi është data kur është regjistruar si biznes në QKB.
Thirrja për Grantin 2026 u hap më 17 shkurt, ndërsa subjekti i Alban Fejzajt rezulton i regjistruar në QKB më 23 shkurt 2026.

Pra, biznesi jo vetëm që nuk kishte mbi një vit aktivitet, siç kërkon rregullorja për Fazën 3, por në momentin kur u hap thirrja për grante nuk ishte ende i regjistruar. Regjistrimi është bërë gjashtë ditë më vonë.
Megjithatë, vetëm disa muaj më pas, në listën përfundimtare të publikuar më 2 korrik, “Onemor App” shfaqet mes fituesve të Fazës 3 me 4.6 milionë lekë financim. Një startup vërtet i shpejtë, nga regjistrimi pas hapjes së garës, drejt e te miliona lekë të Fazës së Rritjes.
Një tjetër emër në listën e Fazës 3 është Besard Rama me projektin “CHAT PLATE”, i cili ka përfituar 4,950,000 lekë. Edhe këtu datat krijojnë problem. Subjekti rezulton i regjistruar në QKB më 11 dhjetor 2025, vetëm pak muaj përpara hapjes së thirrjes së Grantit 2026 dhe shumë larg kriterit të mbi një viti që parashikon rregullorja.
Por ky rast merr një tjetër dimension për shkak të emrave që qëndrojnë pas kompanisë. Në subjekt rezulton pronar edhe reperi Rigels Rajku, i njohur për publikun si Noizy.
Dhe duket se muzika nuk është e vetmja fushë ku Noizy ka ambicie. Sipas objektit të veprimtarisë së kompanisë, reperi tashmë shfaqet edhe në territorin e teknologjisë së informacionit: zhvillim, menaxhim dhe operim të platformave online dhe aplikacioneve mobile; shërbime teknologjike, përpunim të të dhënave, komunikim elektronik, marketing dixhital, ofrim shërbimesh IT, zhvillim software-i dhe shërbime të lidhura me teknologjinë e informacionit. Me pak fjalë, nga skena dhe muzika, edhe te software-i dhe startup-et. Një repertor biznesi që, të paktën në letër, rezulton dukshëm më i gjerë se ai muzikor.
Marrëdhënia e afërt publike e Noizy-t me kryeministrin Edi Rama nuk është e panjohur. Reperi është shfaqur me kreun e qeverisë edhe gjatë fushatave elektorale, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2025 përgatiti edhe këngën e fushatës së Partisë Socialiste.
Tashmë emri i tij shfaqet edhe në një subjekt që përfiton fonde publike nga skema e startup-eve, ndonëse data e regjistrimit të kompanisë, e vendosur përballë kriterit të Fazës 3, ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi kualifikimin.
Miqësia mes një artisti dhe një kryeministri mund të jetë çështje e tyre. Por kur një kompani në pronësi të artistit merr miliona lekë nga fondet publike dhe dokumentet ngrenë pikëpyetje mbi plotësimin e kritereve, çështja nuk është më private. Është me interes publik.
Dhe pikërisht këtu ministrja Delina Ibrahimaj dhe drejtuesi i Innovation4Albania, Arjan Ymeri, duhet të shpjegojnë se si “CHAT PLATE” u kualifikua në Fazën 3 pavarësisht datës së regjistrimit.
Dhe lista nuk mbaron me këta emra. Brendon Ahmeti, me projektin “Synaps SE Shpk”, është një tjetër përfitues i Fazës 3, me një grant prej 7,100,000 lekësh. Subjekti rezulton i regjistruar më 16 tetor 2025, vetëm katër muaj përpara hapjes së thirrjes.
Ganimete Rukaj, me projektin “Autohost”, është shpallur fituese e 5,850,000 lekëve, ndërsa subjekti rezulton i regjistruar më 23 qershor 2025. Edhe këtu, kur thirrja u hap më 17 shkurt 2026, nuk ishte mbushur një vit nga regjistrimi.
Më tej vjen Genti Selenica, me projektin “atworkapp”, i cili ka përfituar 6,250,000 lekë. Subjekti i tij rezulton i regjistruar më 9 tetor 2025, vetëm pak muaj përpara garës që do ta shpallte fitues në Fazën 3.
Në listë është gjithashtu Mario Kazazi, me projektin “SquareVertex.AI”, i cili ka marrë 6,500,000 lekë. Subjekti rezulton i regjistruar më 19 qershor 2025, rreth tetë muaj përpara hapjes së thirrjes.
Pra, si u kualifikuan në Fazën 3 kur rregullorja kërkon mbi një vit regjistrim?
Në total bëhet fjalë për miliona lekë para publike të dhëna vetëm këtyre subjekteve. Këtu nuk kemi të bëjmë me një kriter të shpikur pas shpalljes së fituesve; është kriteri i shkruar në rregulloren e vetë thirrjes.
Nëse një institucion vendos se për të marrë financim në Fazën 3 duhet të kesh mbi një vit i regjistruar dhe të kesh depozituar të paktën një bilanc përpara aplikimit, si përfundojnë mes fituesve kompani që nga datat e regjistrimit rezultojnë vetëm disa muajshe, apo që janë regjistruar pasi thirrja ishte hapur?
Nëse ka një dispozitë tjetër që i lejon këto raste, institucionet duhet ta bëjnë publike. Nëse nuk ka, atëherë pyetja bëhet shumë më serioze: përse nuk është respektuar rregullorja?
Fondet publike që në teori duhet të nxisin ide të reja dhe inovacionin, në jo pak raste kanë gjetur sërish rrugën drejt emrave të njohur të skemës. Një krahasim mes listës zyrtare të Grantit 2026 dhe asaj të vitit 2025 tregoi se të paktën 15 persona figurojnë fitues në të dy vitet radhazi.
Skema ndryshon sipas rastit. Disa kanë fituar përsëri me të njëjtin projekt, të tjerë me ndryshime në emërtim, ndërsa një pjesë kanë ndryshuar emrin e projektit, por kanë ruajtur të njëjtin NIPT.
Thënë ndryshe, inovacioni ndryshon në letër, por fituesit mbeten po të njëjtët. Tani listës së pikëpyetjeve i shtohet edhe respektimi i kritereve.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe drejtuesi i Startup Albania, Arjan Ymeri, duhet t’i shpjegojnë publikut se mbi çfarë baze janë shpallur fituese në Fazën 3 kompani, nuk rezultojnë se plotësojnë kriterin e mbi një viti aktivitet.
Po aq e rëndësishme është të sqarohet nëse për këto subjekte është verifikuar edhe kriteri tjetër, depozitimi i të paktën një bilanci përpara aplikimit. Sepse këtu nuk po flitet për para private, por bëhet fjalë për një skemë prej rreth 6 milionë eurosh me fonde publike.
Faktet e evidentuara ngrenë dyshime serioze mbi mënyrën se si janë kualifikuar aplikantë të caktuar dhe nëse të gjithë pjesëmarrësit janë trajtuar me të njëjtin standard. Nëse kriteret detyruese janë anashkaluar, atëherë çështja nuk kërkon vetëm një sqarim nga ministria dhe Startup Albania, por edhe verifikim nga institucionet e drejtësisë./VNA.al


