Tre persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohen se kanë shkaktuar dy zjarre në zonën e Ishmit dhe Shijakut.
Dy prej tyre dyshohet se shkaktuan zjarrin në Ishëm gjatë prerjes së tubave të hekurit, ndërsa personi i tretë akuzohet për zjarrvënie në fshatin Rreth, ku flakët dogjën tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi.
Në pranga janë vënë shtetasit Shaban Domi, Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi.
“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për dy raste zjarri në territorin e Durrësit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.
Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin.
Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. R. dhe R. J., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Sh. D., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku, si pasojë, janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi.”– njofton policia.
Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.



