Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në intervistën e dhënë për Çim Pekën, ka hedhur akuza të forta mbi mënyrën se si po funksionon industria e re ushtarake e ngritur nga qeveria, duke vendosur në qendër të denoncimit kompaninë TIMAK Defence, shoqërinë ku privati kontrollon 80% të aksioneve, ndërsa shteti shqiptar vetëm 20%.
Sipas deklaratës së Ahmetajt, TIMAK Defence ka vetëm 14 punonjës, me një kosto vjetore prej rreth 140 mijë eurosh, ndërsa aktiviteti real i prodhimit ushtarak, sipas tij, është minimal.
“Timak Defense ka 14 punonjës, me një kosto prej 140 mijë euro në vit. Kjo kompani ka bërë vetëm 240 mijë lekë pajisje ushtarake. Kapitali i Timak Defense është negativ, pra Ron Yeffet nuk ka investuar asgjë, por ka futur tubin në buxhetin e shtetit për të thithur paratë e shqiptarëve. Ka marrë veç një tender 3.1 milionë euro dhe s’ka investuar asgjë”, deklaron Ahmetaj.
Akuzat e ish-zëvendëskryeministrit marrin një tjetër peshë kur shihen paralelisht me strukturën e pronësisë së kompanisë dhe raportin mes shtetit dhe privatit.
Kush e zotëron TIMAK Defence?
Sipas dokumenteve të regjistrit tregtar, TIMAK Defence është themeluar më 4 gusht 2025, ndërsa është regjistruar në QKB më 13 gusht.
Struktura e aksioneve është e tillë:
80% – TIMAK sh.p.k.
20% – KAYO sh.a.
KAYO është kompania shtetërore e industrisë ushtarake, e kontrolluar 100% nga Ministria e Mbrojtjes.
Pra, megjithëse bëhet fjalë për një aktivitet strategjik të lidhur drejtpërdrejt me Forcat e Armatosura dhe sigurinë kombëtare, shteti shqiptar zotëron vetëm një të pestën e TIMAK Defence, ndërsa 80% kontrollohet nga kompania private TIMAK.
Por edhe struktura e TIMAK-ut ka ndryshuar pak përpara krijimit të kompanisë së përbashkët me shtetin.
Sipas të dhënave të regjistrit tregtar, TIMAK zotërohet:
51% nga Arjeta Puca
49% nga Ron Yeffet.
Kjo do të thotë se, në mënyrë indirekte, pronësia ekonomike mbi TIMAK Defence ndahet afërsisht:
Arjeta Puca – 40.8%
Ron Yeffet – 39.2%
Shteti shqiptar, përmes KAYO – 20%.
Regjistri i pronarëve përfitues konfirmon gjithashtu Arjeta Pucën si pronare përfituese të TIMAK Defence me 40.8%, përmes pjesëmarrjes së saj prej 51% në TIMAK.
Ron Yeffet hyri në TIMAK vetëm pak javë përpara marrëveshjes me shtetin.
Ron Yeffet nuk ka qenë historikisht aksioner i TIMAK. Ai hyri në pronësinë e kompanisë në vitin 2025, duke marrë 49% të TIMAK, ndërsa Arjeta Puca mbajti 51%.
Vetëm pak javë më vonë u krijua TIMAK Defence dhe TIMAK mori 80% të kompanisë së përbashkët me KAYO-n shtetërore.
Pra, brenda një periudhe shumë të shkurtër, Yeffet hyri si ortak në kompaninë private dhe kjo kompani u bë më pas partnerja dominuese e shtetit në një prej sektorëve më sensitivë të ekonomisë: industrinë ushtarake.



