Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet ndaj Belinda Ballukut, duke zbardhur edhe një episod të ri që lidhet me një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë dhe rolin e ish-futbollistit Igli Tare.
Sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka pasur në pronësi faktike vilën familjare 2F nr.188/1, në kompleksin “Green Coast”, por kjo pasuri rezulton të jetë mbajtur e fshehur.
Për fshehjen e saj, sipas prokurorisë, Balluku ka përdorur Igli Taren, duke kryer veprime që SPAK i konsideron fiktive. Në njoftim përmendet një kontratë sipërmarrjeje e datës 26 tetor 2020, në vlerën 250 mijë euro, që përfshinte investimin deri në ndërtimin e objektit në fazën e karabinasë.
Por, sipas SPAK, ndërtimi i mëtejshëm i vilës është marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, e cila ishte pjesë e bashkimit të operatorëve që fituan tenderin për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
SPAK pretendon se vlera e punimeve të kryera nga Abazi për vilën varionte nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.
Prokuroria dyshon se këto investime kanë qenë përfitim i parregullt i Ballukut në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në procedurën e tenderit.
Por roli i Igli Tares, sipas SPAK, nuk është kufizuar vetëm në fazën e parë të transaksioneve.
SPAK thotë se Balluku e ka përdorur sërish Taren për të fshehur përfitimin e dyshuar nga korrupsioni, duke kryer veprime të mëtejshme fiktive për krijimin e dokumentacionit të pronësisë.
Konkretisht, SPAK thotë se prona është regjistruar në emër të Igli Tares, bazuar në një kontratë shitjeje që prokuroria e konsideron fiktive, të datës 12 shtator 2025.
Sipas akuzës, kjo skemë do t’i kishte shërbyer Ballukut për të mos deklaruar pasurinë në emrin e saj dhe për ta paraqitur atë zyrtarisht si pronë të një personi tjetër.
Pikërisht për këtë arsye, Igli Tare dyshohet nga SPAK për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Ndërkohë, për Belinda Ballukun, SPAK ka shtuar dyshimet edhe për korrupsion pasiv, fshehje ose mosdeklarim pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, ka vendosur sekuestrimin preventiv të vilës në “Green Coast”, me sipërfaqe totale 478 metra katrorë, nga të cilat 142.6 metra katrorë ndërtesë.
SPAK thekson se hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe faktet penale të këtij procedimi.



