-640-0-c08548c3e5b93c9a095a428ad4e31748

Arjeta Puca, sipërmarrësja shqiptare e Timak Albania, e cila është përfshirë në bashkëpunim me biznesmenin amerikano-izraelit Ron Yefet, ka treguar për njohjen me këtë të fundit dhe marrëveshjen e biznesit, përderisa ajo vendosi që t’i shesë një pjesë të aksioneve.

Në një intervistë për “Opinion”, Arjeta Puca tregoi se është njohur me Ron Yefet në një takim biznesmenësh dhe marrëveshja e aksioneve me të është bërë në varësi të investimeve që ai do të sjellë në TIMAK.

“Ne kemi qenë në një takim biznesmenësh. Aty jemi njohur dhe kemi biseduar si mund të bashkëpunojmë bashkë. Ron Yefet do të investonte 70 milionë euro. Ka nisur dhe ka sjell projekte të mëdha. Në fund të vitit, ne do të kalojmë në miliarda, ju do e shihni”, u shpreh ajo.

Biznesmeni Ron Yefet doli në një seri përgjimesh të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri në ekzil, Arben Ahmetaj, në të cilat ai shfaqej në komunikim me disa shtetas ukrainas, duke komunikuar për trafik armësh nga Shqipëria.

“E pash në televizor përgjimin e Ronn Yefet dhe nuk kam asnjë reagim. Nuk di çfarë të them për atë, kush do, mund të vijë të kontrollojë, ne jemi të hapur”, u shpreh partnerja shqiptare Arjeta Puca, kur u pyet për përgjimin e Ron Yefet.

Gazetari dhe moderatori Blendi Fevziu e pyeti se çfarë po prodhon TIMAK tani për Shqipërinë dhe nëse referuar përgjimeve, kompania e saj është përfshirë në bisedime veçanërisht me Ukrainën, por ajo e mohoi.

“Ne tani po prodhojmë kamiona taktike, makina taktike, zjarrfikëse. Prodhojmë për Shqipërinë tani, të gjitha. Ne marrim markat e huaja dhe përshtasim pjesën e shasisë dhe karrocerisë, sipas nevojave. Më vonë, do të prodhojmë dhe për eksport.

Ne kemi biseduar me shumë shtete, por me Ukrainën për momentin nuk kemi komunikim. Kemi biseduar me shtete afrikane. Prodhojmë makina të blinduara, zjarrfikëse, klinika të lëvizshme”, u shpreh sipërmarrësja Arjeta Puca.