vilma nushi

Përfundimi i koncesioneve dhjetëvjeçare të sterilizimit, hemodializës dhe kontrollit mjekësor bazë nuk ka sjellë shkëputjen e shërbimeve nga operatorët privatë që i administruan ato. Megjithëse menaxhimi i tyre i ka kaluar Operatorit shtetëror të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, fondet publike vijojnë të prokurohen përmes kontratave të reja me kompani private.

Rasti më i fundit lidhet me programin e kontrollit mjekësor bazë, i njohur si “check-up”. Operatori ka hapur tenderin për blerjen e kiteve, reagentëve dhe materialeve mjekësore ndihmëse, me fond limit 1,635,852,309 lekë, ose rreth 17 milionë euro.

Procedura është ndarë në disa lote dhe përfshin reagentë për pajisjet Abbott, Roche Diagnostics dhe Sysmex, teste për përcaktimin e gjakut okult, si dhe materiale të tjera mjekësore. Afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është 28 shtatori 2026, ora 14:00.

Dokumentet e tenderit ngrenë pikëpyetje mbi mundësinë reale të konkurrimit. Operatorët duhet të provojnë se gjatë viteve 2023–2025 kanë realizuar, të paktën në një vit, xhiro jo më të vogël se 40% e fondit limit të lotit apo shumës së loteve për të cilat konkurrojnë.

Kërkohet gjithashtu që kompanitë të dëshmojnë furnizime të ngjashme gjatë tre viteve të fundit, në vlerën e të paktën 20% të fondit limit. Një tjetër kusht është zotërimi i autorizimit të Ministrisë së Shëndetësisë për tregtimin e pajisjeve mjekësore.

Këto kritere, të lidhura me eksperiencën, xhiron dhe furnizimin e reagentëve për pajisjet ekzistuese, mund të favorizojnë kompanitë që kanë administruar më parë programin. Për gati një dekadë, koncesioni i “check-up”-it u menaxhua nga “3P Life”, kompani në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi, e cila përfitoi rreth 100 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Pajisjet dhe laboratorët e përdorur gjatë koncesionit duhet t’i kalonin shtetit pas përfundimit të kontratës. Megjithatë, vijimi i programit kërkon tashmë një kontratë të re shumëvjeçare për furnizimin me reagentë dhe materiale, ndërsa specifikimet teknike lidhen pikërisht me pajisjet e përdorura gjatë periudhës së koncesionit.

Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe me hemodializën, ku kompania që e menaxhoi shërbimin për dhjetë vjet fitoi më pas tenderin e ri me vlerë rreth 50 milionë euro. Edhe në sterilizim, kontrata të reja u janë dhënë kompanive të krijuara nga persona të lidhur më parë me operatorin koncesionar.

Në këtë mënyrë, tre shërbimet janë shtetëzuar formalisht, por një pjesë e konsiderueshme e fondeve vijon të përfundojë te operatorët privatë të lidhur me koncesionet e mëparshme. Tenderi i ri i “check-up”-it pritet të tregojë nëse do të ketë konkurrencë reale apo fondet do të rikthehen sërish te ish-koncesionari./gazetajone