-1000-0-640-0-edi-rama-e-vlora-hyseni-1790199800-6ab91549e4aff

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh që prek drejtpërdrejt edhe debatin e ditëve të fundit mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe gazetares Klodiana Lala: nuk është detyrë e gazetarit të ruajë sekretin që i është besuar një zyrtari apo institucioni.

“Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat”, deklaroi Rama në mesazhin e tij pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara.

Në kontekstin e çështjes Hyseni, deklarata merr një domethënie të qartë: përgjegjësia për ruajtjen e informacionit sekret qëndron te personat që e disponojnë atë për shkak të detyrës dhe jo te gazetari që arrin ta sigurojë apo ta publikojë.

Kjo është pikërisht një nga çështjet që ka dalë në qendër të përplasjes mes Vlora Hysenit dhe Klodiana Lalës. Gazetarja ka deklaruar se e ka kallëzuar ish-drejtoreshën e SHISH në SPAK, duke pretenduar se Hyseni e kishte përdorur atë “si një zë të fortë publik” për të ushtruar presion ndaj personave të tjerë.

Rama nuk e përmendi në këtë pjesë Hysenin me emër dhe as nuk mori qëndrim mbi kallëzimin e Lalës. Por formulimi i tij përcakton qartë se ku e vendos përgjegjësinë për sekretin: jo te media.

Më pas kryeministri e zgjeroi akuzën drejt vetë sistemit të drejtësisë.

“Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet”, deklaroi Rama.

Sipas tij, problemi që duhet adresuar është nxjerrja e informacionit nga ata që kanë detyrimin ligjor ta mbrojnë.

“Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet”, tha kryeministri.

Pra, mes sulmit të fortë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, Rama artikuloi edhe një parim që prek drejtpërdrejt debatin Hyseni–Lala: gazetari nuk është roja e sekretit të shtetit apo të hetimit. Përgjegjësinë për ta ruajtur e ka ai që e administron për shkak të detyrës.