raiffeisen-6ada4dfb1fd68

Gjiganti bankar austriak Raiffeisen Bank International (RBI) ka siguruar sot triumfin e tij të plotë ligjor, pasi vendimi i shumëpërfolur i gjykatës për asetet ruse ka marrë formë të prerë.

Gjykata Rajonale e Vjenës për Çështjet Civile ka dhënë miratimin përfundimtar (Court Sign-Off) që i lejon bankës të marrë zyrtarisht në pronësi asetet me vlerë 3.2 miliardë euro të kompanisë “Rasperia Trading”, e cila kontrollohej nga oligarku i sanksionuar rus, Oleg Deripaska.

Ky zhvillim shënon fundin e afatit 4-javor të ankimimit pas vendimit paraprak të shtatorit. Duke qenë se pala ruse nuk paraqiti asnjë kundërshtim, vendimi ka marrë fuqi të plotë ekzekutive.

Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, Raiffeisen arrin të thyejë bllokadën e kapitalit të saj në Rusi, duke sekuestruar në mënyrë të ligjshme asetet e një entiteti rus në tokën europiane.

Asetet e fituara përfshijnë një paketë strategjike prej 24% të aksioneve në kompaninë austriake të ndërtimit, Strabag SE, së bashku me dividentët e ngrirë.

Tashmë, Raiffeisen mund të kalojë nga teoria në praktikë: banka do t’i drejtohet menjëherë rregullatorit austriak për të çngrirë zyrtarisht këto aksione e për të nisur procesin e shitjes së tyre për të arkëtuar paratë kesh.

Reagimi në Bursë dhe kundërsulmi nga Moska

Tregjet financiare e kanë pritur lajmin me eufori të madhe. Aksionet e Raiffeisen në Bursën e Vjenës shënuan një rritje të fuqishme prej 4.80%, duke u tregtuar në vlerat e larta prej 57.05 – 58.80 euro për aksion.

Investitorët po shohin më në fund një dritë në fund të tunelit për miliardat e bllokuara të grupit bankar.

Megjithatë, kjo betejë mbetet një luftë e hapur në dy fronte. Pothuajse paralelisht me vendimin e Vjenës, një gjykatë në Rusi ka goditur degën lokale të Raiffeisen-it me një gjobë reaguese prej 342 milionë eurosh.

Kjo gjobë, e kërkuar nga e njëjta kompani “Rasperia”, vjen si hakmarrje për mënyrën se si banka ka zbatuar sanksionet e Bashkimit Europian në terren. Ndërsa fitoi miliardat në Europë, Raiffeisen konfirmon se mbetet ende e mbërthyer në një lojë të rrezikshme “shahu” gjeopolitik me Moskën. (Kapitali.al)