Një dokument zyrtar financiar i publikuar së fundmi ka zbuluar zanafillën e një beteje disamujore për pushtet mes Mark Zuckerberg-ut dhe bordit të drejtorëve të Meta-s — një përplasje kjo që nxiti kërcënime të tërthorta nga vetë Zuckerberg dhe bëri që anëtarët e bordit të mendonin dorëheqjen.
Zuckerberg dhe zyrtarët e Meta-s dëshironin të krijonin një kategori të re aksionesh për të financuar investimin e tyre gjigant prej 95 miliardë dollarësh në inteligjencën artificiale. Nga ana tjetër, anëtarët e bordit, të ngarkuar me negociatat e kësaj marrëveshjeje, kërkuan diçka në këmbim nga Zuckerberg.
Në qershor, drejtorët propozuan që, në rrethana të caktuara, të shfuqizohej kategoria e veçantë e aksioneve të Zuckerberg-ut — ajo që i mundëson atij të udhëheqë Meta-n me dekret absolut, madje edhe pas vdekjes.
Sipas rregullave aktuale, Zuckerberg mund të përzgjedhë vetë personin që do të trashëgojë aksionet e tij me “superpushtet” në Meta pasi ai të ndërrojë jetë, nëse shkarkohet nga puna, ose nëse mbetet me paaftësi fizike apo mendore.
Drejtorët propozuan që Zuckerberg të hiqte dorë nga ky pushtet absolut pa pasur mundësi t’ia kalonte dikujt tjetër në këto rrethana. Gjithashtu, ai do duhej të dorëzonte pushtetin edhe nëse sasia e aksioneve në zotërim të tij do të binte në më pak se gjysmën e aksioneve që ai zotëronte në momentin e emetimit të kategorisë së re të aksioneve.
Zuckerberg e refuzoi prerazi këtë kusht. Avokati i tij përcolli mesazhin se Zuckerberg nuk dëshironte të humbiste pushtetin përmes një “propozimi që në fakt synonte të forconte kompaninë”, thuhet në dokument.
Pas kësaj, negociatat—edhe pa këtë mjaft të ndërlikuara—për aksionet e reja të Meta-s degjeneruan në një “luftë” të hapur mes Zuckerberg-ut dhe anëtarëve të bordit.
Pse bordi donte të eliminonte “Klauzolën e Varrit”
Aktualisht Meta ka dy lloje aksionesh. Aksionet e thjeshta (Klasa A), janë aksionet që njerëzit e thjeshtë ose fondet e investimeve blejnë në bursë. Çdo aksion A vlen 1 votë.
Klasa e dytë janë aksionet B, të cilat njihen ndryshe si aksionet superfuqi. Këto janë aksione që nuk tregtohen publikisht, por mbahen vetëm nga Zuckerberg. Çdo aksion B që zotëron Zuckerberg vlen 10 vota.
Edhe pse Mark Zuckerberg nuk zotëron pjesën më të madhe të vlerës monetare të kompanisë Meta (ai ka rreth 13% të të gjitha aksioneve), për shkak të këtyre aksioneve të Klasës B, ai kontrollon mbi 60% të fuqisë totale të votimit.
Rregullat fillestare përcaktojnë se nëse Zuckerberg vdes, shkarkohet ose mbetet me paaftësi, ai (ose trashëgimtarët e tij) kanë të drejtë të zgjedhin vetë një pasardhës që do të trashëgojë saktësisht të njëjtin kontroll “superpushtetësh”.
Bordi propozoi një marrëveshje: Meta do të lëshonte aksionet e reja të Klasës C që ai dëshironte për të financuar Inteligjencën Artificiale (dhe për të mbrojtur pasurinë e tij nga një taksë e propozuar në Kaliforni).
Në këmbim, bordi kërkoi që pushteti i tij absolut të shpërbëhej nëse ai vdes ose jep dorëheqjen, duke i kthyer aksionet e tij me super-votë në aksione të thjeshta (1 votë për aksion). Kjo do t’ia rikthente përfundimisht kontrollin e kompanisë bordit dhe aksionerëve të thjeshtë.
Pse Zuckerberg refuzoi të dorëzohej
Zuckerberg e hodhi poshtë plotësisht idenë e një afati skandence për pushtetin e tij. Arsyetimi i tij, i përcjellë përmes avokatëve, përmblidhej në dy pika kyçe:
• Argumenti i “Fortësisë së Kompanisë”: Ekipi i Zuckerberg-ut argumentoi se humbja e kontrollit të tij absolut do të dobësonte kompaninë. Ai beson sinqerisht se suksesi i Meta-s varet nga aftësia e tij për të bërë baste miliarda dollarëshe (si shtytja aktuale prej 95 miliardë dollarësh për infrastrukturën e AI) pa pasur nevojë t’u japë llogari panikut afatshkurtër të investitorëve apo ndërhyrjeve të bordit.
• Mbrojtja e Vizionit të Tij: Sipas këndvështrimit të tij, një kompani e udhëhequr nga themeluesi është një model biznesi superior. Dorëzimi i së drejtës për t’ia kaluar bllokun e tij të votave një pasardhësi të zgjedhur vetë nënkuptonte rrezikun që një bord i ardhshëm mund të shkatërronte plotësisht punën e jetës së tij ose të braktiste planet e tij afatgjata.
Rezultati
Meqenëse Zuckerberg ka fuqinë ligjore për të shkarkuar të gjithë bordin nëse dëshiron, bordi në fund u tërhoq i pari. Në marrëveshjen përfundimtare të miratuar, Zuckerberg arriti të mbrojë me sukses kontrollin e tij absolut.
Meta miratoi krijimin e aksioneve të reja të Klasës C (pa të drejtë vote), duke i lejuar atij të mbledhë miliarda për AI pa u prekur monopoli i tij prej 60.6% të votave — i gjallë apo i vdekur.



