Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sistem të ri taksimi, që do të përfshijë ekonominë digjitale, pronat e luksit dhe automjetet luksoze, me synimin sipas tij për të rritur solidaritetin me qytetarët që përballen më shumë me kostot e jetesës.
Gjatë një fjalimit Rama deklaroi se ka ardhur koha për një sistem të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke nisur nga personat që përfitojnë të ardhura përmes rrjeteve sociale, e deri te aktivitetet e mirëfillta tregtare në internet.
“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follwer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se paralelisht po punohet edhe për masa të tjera fiskale, të cilat, sipas tij, synojnë të zbusin pabarazitë që krijohen si pasojë e rritjes dhe zhvillimit të shpejtë ekonomik.
Një prej masave të paralajmëruara nga Rama është vendosja e një takse më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë bosh, duke refuzuar t’i japin me qira.
Sipas kryeministrit, pronarët kanë të drejtë të vendosin se si ta përdorin pronën e tyre, por duhet të paguajnë më shumë taksa nëse zgjedhin të mos e japin atë me qira.
“Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve”. deklaroi Rama.
Një tjetër masë që pritet të përfshihet në një ligj të veçantë lidhet me pronat luksoze në zonat bregdetare. Rama paralajmëroi taksa më të larta për vilat në bregdet, si dhe rritje të ndjeshme të çmimit të ujit që përdoret për mbushjen e pishinave.
Përveç pronave dhe ekonomisë digjitale, kryeministri njoftoi se në paketën fiskale do të përfshihet edhe një super-taksë për makinat e luksit.
Rama argumentoi se masat e reja synojnë të krijojnë më shumë solidaritet me qytetarët që ndiejnë më fort presionin e rritjes së kostove të jetesës.



