IMG_5776

Transferimi i befasishëm i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në Fier, këtë të mërkurë, ngre dyshime serioze për një akt hakmarrjeje politike të Edi Ramës ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij. Jo sepse transferimi i një të paraburgosuri është diçka e jashtëzakonshme, por për shkak të rrethanave dhe mënyrës se si, është marrë vendimi.

SPAK nuk ka dërguar të dhëna në DPB, që mund të shërbente për firmosjen e urdhrit për transferimin e Veliajt. Vendimi është marrë nga drejtoresha e re e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, e cila, sipas të njëjtave burime, ka marrë një telefonatë nga kryeministri Edi Rama me kërkesën për ta transferuar Veliajn në Fier.

Ky informacion, që ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta për ndërhyrjen e ekzekutivit në administrimin e paraburgimit, kërkon një shpjegim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Koha e transferimit është po aq domethënëse. Vetëm një ditë më parë, Veliaj publikoi në Facebook një qëndrim ku prekte edhe protestat, duke iu referuar atyre si një e drejtë e qytetarëve.

Një qëndrim që binte ndesh me retorikën e ashpër të Ramës ndaj protestuesve.

Pikërisht ky reagim ka nxitur vendimin për transferimin e tij.

Destinacioni është Fieri, qarku ku Belinda Balluku ka pasur drejtimin politik të Partisë Socialiste dhe një ndikim të konsiderueshëm në strukturat lokale të pushtetit.

Në këtë kontekst, transferimi merr edhe një simbolikë politike që vështirë të shpërfillet.

Nëse konfirmohet se vendimi është marrë pas një telefonate të kryeministrit, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një lëvizje administrative, por me përdorimin e sistemit penitenciar për të ndëshkuar një kundërshtim publik.

Mesazhi do të ishte i qartë edhe për njerëzit e tjerë të pushtetit: kush del kundër Ramës, edhe nga qelia, duhet të kuptojë se pasojat nuk mungojnë.

Erion Veliaj duhet të qëndrojë në institucionin e paraburgimit që përcaktohet sipas ligjit, vendimeve gjyqësore dhe kompetencave të autoriteteve përgjegjëse, jo sipas humorit politik të Edi Ramës. Ai duhet t’i nënshtrohet drejtësisë për akuzat që rëndojnë mbi të, por jo hakmarrjes së pushtetit.

Nëse transferimi është urdhëruar nga Rama si ndëshkim për një status në Facebook, kjo është hakmarrje primitive, jo administrim i burgjeve. Dhe tregon se si sillet Edi Rama me këdo që guxon t’i dalë kundër, edhe kur ai njeri ndodhet pas hekurave.