pensioniste4-1739865381

Qeveria ka parashikuar një fond prej 20 miliardë lekësh, ose mbi 200 milionë euro, për shpërndarjen e bonusit mujor të pensionistëve gjatë vitit 2027.

Sipas projektbuxhetit të vitit të ardhshëm, duke nisur nga 1 janari, bonusi mujor do të dyfishohet krahasuar me pagesat që pensionistët përfitojnë gjatë vitit 2026.

Megjithatë, shuma që do të marrë secili pensionist do të ndryshojë në varësi të kategorisë së pensionit dhe nivelit të të ardhurave mujore.

Për pensionistët që përfitojnë pension të plotë urban, me vlerë deri në 40 mijë lekë në muaj, bonusi do të jetë 3,600 lekë në muaj, ose 43,200 lekë gjatë gjithë vitit.

Pensionistët që marrin pension fshati, me vlerë deri në 18 mijë lekë në muaj, do të përfitojnë një bonus prej 2,000 lekësh çdo muaj, ose 24 mijë lekë në vit.

Për kategorinë e pensioneve të pjesshme urbane, bonusi parashikohet në masën 1,600 lekë në muaj, për të gjithë ata që marrin pension deri në 22 mijë lekë.

Ndërkohë, qytetarët që përfitojnë pension familjar deri në 18 mijë lekë në muaj do të marrin një bonus prej 1,400 lekësh.

Kategoria e pensionistëve të invaliditetit, me pension mujor deri në 30 mijë lekë, do të përfitojë 1,200 lekë shtesë çdo muaj.

Nga kjo skemë përjashtohen pensionistët që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar të pensionit mujor për kategorinë përkatëse.

Siç ka raportuar më herët Skyweb.al, dyfishimi i bonusit është një nga masat kryesore të politikës sociale të qeverisë për vitin 2027, me një kosto të parashikuar prej 20 miliardë lekësh në buxhet.

Përveç këtij fondi, projektbuxheti parashikon edhe 4 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, i cili synohet të nisë në muajin prill, tre muaj më herët se kalendari i mëparshëm.

Në total, fondet e parashikuara për bonusin mujor dhe indeksimin arrijnë në rreth 24 miliardë lekë, ose afërsisht 250 milionë euro.

Këto shpenzime janë pjesë e buxhetit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore për vitin 2027, i cili parashikohet të arrijë në rreth 215.6 miliardë lekë.

Qeveria synon që përmes dyfishimit të bonusit dhe indeksimit të pensioneve të rrisë të ardhurat mujore të pensionistëve, ndërsa shpërndarja e përfitimeve do të bëhet sipas kategorive dhe kufijve të përcaktuar për secilën prej tyre.