porti-durres-.png

Mishi, peshku, qumështi dhe djathi që hyjnë nga Porti i Durrësit drejt tryezave të shqiptarëve kontrollohen nga dy zooteknikë. Siç mëson Skyweb.al, në pikën e kontrollit ushqimor të këtij porti nuk punon asnjë mjek veteriner.

Dy vendet e parashikuara për veterinerë mbulohen nga specialistë të mbarështimit të kafshëve. Janë ata që kryejnë kontrollet dhe plotësojnë dokumentet që u hapin rrugën ngarkesave drejt tregut.

Në dy pozicionet veterinare të Portit të Durrësit punojnë inspektorët A.S. dhe V.Sh. Informacioni i siguruar i lidh emërimet e tyre me urdhra të brendshëm lëvizjeje “për nevoja të institucionit”, të firmosur nga drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gjylameti.

Dallimi mes profesioneve është i qartë: Zootekniku merret kryesisht me rritjen, ushqyerjen dhe prodhimtarinë e kafshëve.

Veterineri është mjek, i përgatitur për sëmundjet e kafshëve dhe rreziqet që produktet shtazore mund t’i sjellin shëndetit të njerëzve. Formimi në zootekni, edhe kur përfshin cilësinë e produkteve blegtorale, nuk jep titullin e mjekut veteriner dhe aq më shumë, nuk jep aftësi profesionale për të kuptuar nëse një produkt është apo jo i sigurt për njerëzit.

Procedura 

Për ngarkesat me origjinë shtazore plotësohet Dokumenti Veterinar i Import-Transitit, i njohur si DVIT. Pjesën e parë e plotëson importuesi, ndërsa pjesa e dytë pasqyron rezultatet e kontrollit dhe vendimin për ngarkesën.

Manuali për pikat e inspektimit kufitar, i publikuar nga vetë AKU-ja, përcakton se verifikimi i dokumenteve, identitetit dhe gjendjes fizike të produkteve shtazore kryhet nën përgjegjësinë e veterinerit zyrtar, përpara lejimit të qarkullimit të tyre.

Paqartësia për kualifikimet shfaqet edhe në konkurset e punësimit. Në një shpallje të 5 majit 2026 për PIK Rinas, Inspektorati i Përgjithshëm e emërton postin “Inspektor (Veteriner)”, por mes diplomave të pranueshme rendit edhe zootekninë, kiminë dhe biologjinë.

Në Durrës, kjo çështje prek një nga hyrjet kryesore të mallrave në vend. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, përmes kësaj pike kalojnë rreth 43–47% e importeve totale, përfshirë tranzitin drejt Kosovës.

Gjatë një inspektimi më 22 prill, ministri Andis Salla premtoi se asnjë ngarkesë nuk do të hynte pa kaluar filtrat e sigurisë ushqimore. Ministria prezantoi investimet në ambiente të reja, magazina frigoriferike dhe pajisje kontrolli, të mbështetura nga Banka Botërore dhe projekti SAFIAL.

Kush mban përgjegjësi?

Përtej investimeve, informacioni për personelin nxjerr në pah mungesën e mjekut veteriner në hallkën ku kontrollohen produktet përpara hyrjes në treg. Dy postet ekzistojnë, por mbulohen nga punonjës me një tjetër formim profesional.

Ngarkesat ndërkohë vijojnë drejt tregut, me dokumentet e kontrollit të plotësuara nga dy zooteknikët.

Në portin ku qeveria premton filtra të plotë sigurie, mbetet për t’u shpjeguar mbi çfarë baze ata firmosin dokumentacionin dhe kush e mban përgjegjësinë e veterinerit zyrtar. /skyweb.al