IMG_5724

Falje Tatimore Gjigante: Qeveria Hyn në Aministrinë më të Madhe Fiskale në Historinë e Vendit

Një projektligj i ri i Ministrisë së Financave i hap rrugën një prej amnistive më të mëdha fiskale që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Drafti, i hedhur për konsultim me grupet e interesit, parashikon faljen totale të detyrimeve tatimore të krijuara përpara dhjetorit 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Vetëm kjo pjesë përbën mbi 500 milionë euro që falen automatikisht për bizneset që kanë pasur borxhe ndaj shtetit deri në fund të vitit 2014.

Ndërkohë, për periudhën 2015–2024, qeveria propozon falje të pjesshme deri në 50 për qind të detyrimeve tatimore, nëse bizneset pranojnë të hyjnë në marrëveshje me administratën fiskale. Projektligji parashikon dy skema lehtësimi:

  • Fshirje të 50 për qind të detyrimit nëse pjesa tjetër paguhet brenda 30 qershorit 2026,
  • Ose fshirje të 25 për qind të detyrimit nëse pjesa e mbetur paguhet me këste deri në 31 dhjetor 2026.

Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat shuhen plotësisht.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, bizneset shqiptare kanë aktualisht 158 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro detyrime të papaguara ndaj tatimeve dhe doganave, nga të cilat 200 milionë euro janë kontribute që nuk falen. Nëse bizneset pranojnë kushtet e marrëveshjes, përfitimi potencial nga faljet fiskale mund të arrijë deri në 700 milionë euro.

Kur këtyre i shtohen edhe 500 milionë eurot e borxheve para vitit 2014 që falen automatikisht, shuma totale e amnistisë arrin rreth 1.2 miliardë euro, ose afërsisht 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Ky projektligj e shënon praktikisht amnistinë më të madhe fiskale në historinë e Shqipërisë, si për vlerën e faljeve ashtu edhe për përfshirjen e gjerë të subjekteve që kanë pasur detyrime tatimore të papaguara ndër vite.