Njulend Palaj, 28 vjeç, i njohur ndryshe si Lendi Paja dhe i portretizuar në media si “truri i basteve sportive në pikat 333 dhe CR7” në Tiranë, është arrestuar nga Policia e Shtetit pas disa javësh në kërkim.
Palaj ishte shpallur në kërkim më 10 qershor 2024, pas një konflikti të dhunshëm të ndodhur në zonën e Ali Demit, ku u përdorën shkopinj bejsbolli dhe një person qëlloi me armë në ajër. Për këtë ngjarje, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale: “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhim dhe mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” si dhe “Kanosja”.
Sipas burimeve hetimore, Palaj është identifikuar si një nga të dyshuarit kryesorë në konflikt, pasi emri i tij doli në pah përmes deklaratave të rreme dhe kontradiktore të 26-vjeçarit G.K., i cili fillimisht kishte tentuar të fshihte përfshirjen e Palajt në ngjarje.
Operacioni për ndalimin e Palajt u krye nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 3 në Tiranë. Arrestimi i tij konsiderohet një hap i rëndësishëm në zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ali Demi”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Nj. P., 28 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, për veprat penale ”Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” ,” Prodhim dhe mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe ”Kanosja”.
Ky shtetas u shpall në kërkim me datë 10.06.2024, si i dyshuar i përfshirë në një konflikt në rrugën “Ali Demi”.



