-640-0-b-1774209757

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në mbyllje të protestës së opozitës në Tiranë, në një deklaratë për mediat para selisë blu.

Berisha falënderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe qëndresën, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Një përshëndetje vëllazërore, një mirënjohje të pakufishme. Me guximin, trimërinë, qëndresën tuaj nderuat më shumë se kurrë këtë datë historike të kombit shqiptar, përmbysjen e diktaturës komuniste 34 vite më parë. Por njëkohësisht i dhatë edhe goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe u garantoj se tjetra do jetë dhe më e shkëlqyer dhe se për Edi Ramën nuk do ketë më strofull, nuk do ketë më vrimë miu ku do futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do u japë atyre ndëshkimin që meriton. Do ta çojë tek etërit e tij mizorë”, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij u shpreh për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se ata do të “përfundojnë në Lanë”.

“Keni qenë të shkëlqyer… nuk di domethënë se si e nderuat kaq shumë sot 22 marsin. E tmerruat Edvin Kristaq Ramën. Prandaj dhe ne le të zotohemi në këtë shesh se nuk ka paqe në këtë vend me ata të cilët kanë vjedhur dhe vjedhin si hijena pasuritë publike të shqiptarëve dhe pasurohen vetë. Përdorin ligjet dhe mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tyre. Qëndresa jonë, ndëshkimi ynë do të bjerë mbi ta dhe ata do përfundojnë në Lanë. Do përfundojnë në koshat e plehrave të historisë. E patë vetë ju si e kishte rrethuar nga të katër anët me policë. Po ka rrethim që na pengon ne? kurrë mo kurrë! Prandaj Edi Rama jep dorëheqjen sa më shpejt. Jep dorëheqjen se do të tërheqim ashtu siç s’ta pret mendja”, tha Berisha para protestuesve.

Ai tha se protesta e radhës kombëtare do të zhvillohet shumë shpejt, por nuk bëri të ditur një datë.